Prezantohet administratori, Veliaj: Ta shndërrojmë Shëngjergjin në destinacion turistik

17/08/2015 00:00

Shëngjergji, një destinacion tërheqës turistik. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar administratorin e kësaj njësie, Shpëtim Sina.

Veliaj u shpreh optimist se Shëngjergji do të ketë një emër në hartën e vendeve që duhen vizituar nga turistë vendas dhe të huaj.

Ai tha se kjo zonë do të shndërrohet në një destinacion tërheqës turistik për të apasionuarit pas natyrës, sporteve ekstreme apo produkteve bujqësore vendase.

“Deri në fund të këtij mandati, Shëngjergji do të ketë një emër që nuk e ka pasur deri më sot dhe besoj se do kthehet në një destinacion të lakmueshëm për turistët dhe banorët e Tiranës që parapëlqejnë ajrin e pastër, jetesën sa më pranë natyrës, në periferi, ku jetohet shëndetshëm në një ambient fantastik, siç e ka Shëngjergji”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës kërkoi nga drejtuesit e njësisë administrative dhe strukturat e bashkisë që të hartohet një listë e zhvillimeve dhe datave të caktuara që mund të kthehen në evente apo ditë promovuese për asetet natyrore dhe bujqësore.

“Bashkia do të investohet shumë për të pasur një kalendar aktivitetesh, në mënyrë që Shëngjergjin ta promovojmë si një aset të jashtëzakonshëm turistik për Tiranën. Sepse Shëngjergji është ‘bahçja’ malore e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Top Channel