Skuadra e Rita Orës në Tiranë

17/08/2015 00:00

Shou televiziv X-Factor i Britanisë së Madhe me një audiencë mjaft të madhe, këtë vit do ketë si anëtare të jurisë së tij, ndër të tjera edhe këngëtaren britanike me origjinë shqiptare Rita Ora.

Kjo e fundit ka kërkuar që të sjell grupin e këngëtarëve, që ajo do të trajnojë, në Tiranë, për të transmetuar direkt nga Pallati i Brigadave, shkruan gazeta britanike “Daily Mirror”.

Rita Ora e ka bërë këtë kërkesë drejtuesve të stacionit televiziv privat ITV, i cili së bashku me BBC si televizon publik janë më të mëdhenjtë në Britani, si dhe pronarit të këtij shou të talentëve Simon Cowell, mogulit të muzikës botërore, njeriut më me influencë aktualisht në mbarë globin, që është në juri bashkë me Rita Orën.

Në fazën përzgjedhëse, si rregull, anëtarët e jurisë kanë të drejtë t’i marrin kandidatët e tyre nëpër vende të ndryshme të botës, ku kanë vilat e tyre, ndërkohë që Rita Ora ka bërë një zgjidhje tjetër, duke kërkuar që grupin e saj ta sjell në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, si ish-rezidencë e Mbretit Zog i njohur nga opinioni britanik.

Vendimi nuk është marrë ende nga pala britanike edhe pse nga pala shqiptare duket se Rita Ora ka siguruar apovimin, por problem mbetet sfida teknike e transmetimit direkt dhe diferenca kohore e vendeve nga do të transmetohet “live” në Britani.

Rita Ora e cila është shpallur së fundmi “Ambasadore Nderi e Kosovës” nëpër botë, ka një lidhje të fuqishme me Shqiperinë dhe Kosovën gjë të cilën ajo e shpreh kudo dhe të cilën e përmend vazhdimisht edhe media britanike.

Nëse një ide e tillë do të realizohej do të përbënte një ekspozim mjaft të madh, ndoshta më të madhin ndonjëherë të Shqipërisë në audiencën britanike për disa fundjava dhe një reklamë mjaft të madhe për Shqipërinë, si një kontribut i veçantë i Rita Orës për kombin e saj.

Top Channel