Dokumentari “Flotel Europa” ku regjisori boshnjak Vladimir Todoroviç paraqet jetën e refugjatëve të Bosnjës në portin e Kopenhagës, është përzgjedhur si më i miri në edicionin e XIV-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurt DokuFest në Prizren.

Në natën e fundit të këtij festivali janë shpalosur edhe fituesit e kategorive të tjera. Në garën e dokumentarëve të gjatë ndërkombëtarë më i mirë është shpallur “Machine Gun or Typewriter” nga Travis Wilkerson, dokumentari më i mirë i shkurtër është zgjedhur “Things” nga Ben Rivers, dokumentari më i mirë mjedisor “Virunga” nga Orlando von Einsiedel, filmi më i mirë i shkurtër “Listen”, nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni, dokumentari më i mirë për të drejtat e njeriut, “Democrats” nga Camilla Nielsson, ndërsa në garën kombëtare fitoi filmi “Të pafajshmit” nga Amir Vitija.

“E dimë që është festivali më me vlera në vendin tonë, kështu që pa dyshim që edhe çmimi që e mora është nder dhe respekt i veçantë për mua”, u shpreh Amir Vitija, regjisor i filmit “Të pafajshmit”.

Këtë edicion, ku DokuFest për temë kishte migrimin e që është trajtuar përmes filmave e debateve, është shënuar numër rekord në kinematë e festivalit ku janë shitur mbi 14 mijë bileta.

“Kemi arritur shifrën mbi 14 mijë bileta të shitura, një numër i jashtëzakonshëm i mysafirëve të huaj, vendorë, rajonalë, nga SHBA-të, Brazili nga anë e kënd bota, në një temë që ndoshta ka qenë e veçanta kryesore e festivalit, një temë e rëndësishme, urgjente, ajo e migrimit”, deklaroi drejtori artistik i DokuFest-it.

“Besoj që ky mesazh të cilin jemi munduar ta përcjellim ka depërtuar edhe globalisht, se e dimë që kemi diku rreth 20 mijë klikime në videon të cilën e kemi bërë dhe ne nuk do të ndalemi, ne do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë temë në forma të ndryshme dhe besoj që deri në fund të vitit do ta kemi edhe një produkt tjetër”, tha Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i këtij festivali. 

DokuFest mbështetet edhe nga qeveria shqiptare, si pjesë e marrëveshjes ndërkulturore midis dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është shumë kuptimplot që këtë vit ka pasur nga Shqipëria dhe Kosova rreth 30 filma. Vitin tjetër do të jetë 15 vjetori i DokuFest-it dhe qeveria shqiptare ka përcaktuar objektiva konkrete për ta mbështetur jo thjesht me financa, por edhe me një bashkëpunim më të madh mes kineastëve të Shqipërisë dhe Kosovës”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. 

Në edicionin e XIV-të të DokuFest-it janë shfaqur 238 filma, përgjatë nëntë ditëve. Ndërsa në ceremoninë e mbylljes ku u shfaq animacioni “Migrimi” punuar nga fëmijët, të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.

Top Channel