Superkupa e Spanjës, Barcelonës i duhet një mrekulli ndaj Athletic Bilbaos

17/08/2015 00:00

Mbrëmjen e sotme, Barcelona ka përpara vetes një mision të pamundur. Në stadiumin Camp Nou, katalanasit duhet të përmbysin humbjen 4-0 që pësuan ndaj Athletic Bilbaos në San Mames, në ndeshjen e vajtjes të finales së Superkupës së Spanjës.

Të paktë ishin ata që mendonin se ky trofe do të ishte kaq i vështirë për Messin me shokë. Skudra më e mirë e Europës në sezonin e shkuar pësoi një humbje skandaloze që erdhi si pasojë e lodhjes dhe rotacionit në mesfushë të trajnerit Luis Enrique.

Barcelona duhet të fitojë 5-0 për të kthyer një rezultat që kurrë më parë nuk e ka kthyer në historinë e saj. Në 3 precedentët kur ka humbur ndeshjen e parë eliminatore 4-0, Barcelona është eliminuar në të treja rastet.

Gjithsesi, trajneri i Barcelonës është “shumë i bindur” se skuadra e tij do e fitojë trofeun e pestë sezonal.

“Nuk jemi të bindur për kthimin e rezultatit, por shumë të bindur. Është një sfidë për ne. Nëse luajmë si sezonin e kaluar, kemi mundësi. Në 18 ndeshje të sezonit të kaluar kemi shënuar 4 apo më shumë gola dhe kjo tregon që kemi potencial. Kur luan Barcelona, mund të ndodhë gjithçka”, tha Luis Enrique.

Top Channel