Kriza e gjeneratës së re, sociologët: Marrëdhënie të vështira prind-adoleshent

17/08/2015 00:00

Gati 80 adoleshentë në kryeqytet janë raportuar gjatë këtyre nëntë muajve si të larguar nga banesat gjatë konflikteve të tyre me prindërit.

Pas kërkimit policor ata janë rigjetur brenda pak ditësh, çka tregon se drama e familjes Kajtazi në Durrës, nuk është e vetmja. Megjithatë  sociologu Gëzim Tushi e shikon si  të shkëputur e një rast për tu studiuar se si dy motrat adoleshente shpërthyen duke kërkuar arratinë e duke vënë në gjumë prindërit, djegur shtëpinë e pas largimit duke u hakmarrë me tej me publikimin e një videoje në YouTube.

Për sociologun Tushi gjithsesi ky rast tregon se çfarë po ndodh me adoleshentët dhe me gjeneratën e re të shoqërisë shqiptare.

“Megjithatë brenda këtij rasti besoj që fshihet një fenomen që duhet parë me kujdes, sepse është fenomen i përgjithshëm që përbën tipologjinë e adoleshentëve të sotshëm. Duhet ta vlerësojmë shumë seriozisht faktin që koha e sotme po sjell agravime të këtyre konflikteve mes adoleshentëve dhe dy figurave kryesore që vërtiten rreth tyre, dhe kanë një lloj autoriteti mbi ta, siç janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë”, tha Gëzim Tushi, sociolog.

Po çfarë ka ndryshuar tek adoleshentët e sotëm?

“E para kanë ndodhur ndryshime tek adoleshentët. Adoleshentët e sotëm janë të rritur, janë rritur më shumë se sa koha. Kjo ka bërë që ata jo vetëm ta ndjejnë veten të rritur, po dhe më të ditur, më të ditur se prindërit, më të ditur se mësuesit në shkollë, dhe kjo është një fenomen krejt normal. Të ndodhur në këto rrethana e kanë shumë të vështirë të pranojnë një lloj prindërimi të vjetër, familje paternaliste që kërkon akoma ta shohë adoleshentin vetëm anën e tij që është në rrezik, pa kuptuar që kemi këtë adoleshentin e rritur, duke kërkuar që ta vendosim në disa korniza etike, morale që janë të papërshtatshme për kohën. Prindërimi në familje është në krizë, po dhe në shkollë autoriteti i mësuesit është në krizë”, thotë Tushi.

Si duhet të komunikojnë prindërit në ditët e sotme? “Prindërit duhet të komunikojnë si partnerë, një familje e kohës së sotshme nuk është më familje që favorizon autoritetin vertikal”, shpjegon Tushi.

Për psikologen Oriola Plaku, rasti i familjes Kajtazi, është një rast që duhet t’i nënshtrohet trajtimeve psikologjike, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

“Edhe prindërit do të kenë nevojë për një suport shumë të madh, sepse është një traumë shumë e madhe familjare. Suport psikologjik, sigurisht. Për të përmirësuar këtë situatë kaq të madhe që ka ndodhur, sepse është shumë e madhe që të shkatërrohet një familje. Nuk mund të them sikurse e përmenda, nga se ka ardhur. Duket se konfliktet kanë qënë aq madhore bernda familjes, sa kanë dëmtuar funksionimin e përditshëm, duke menduar gjatë gjithë kohës mënyra se si të dëmtohen dhe se si të shkëputen”, thotë Oriola Plaku, psikologe.

Top Channel