MPB konfirmon skandalin e 156 mijë pasaportave

17/08/2015 00:00

Skandali i pasaportave, i raportuar një ditë më parë nga Top Channel, është konfirmuar nga Ministria e Brendshme. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ministria bën të ditur se ky institucion propozoi në vjeshtën e vitit 2013, shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre pasaportave me 1 vit, nga 5 vite afat vlefshmërie që duhej të kishin, në vend të 10 viteve që është shënuar gabimisht. Në këtë mënyrë u lihet kohë shtetasve të marrin masa për pajisjen me pasaportë të re biometrike.

Bëhet fjalë për 156 mijë pasaporta për fëmijë nga mosha 0-16 vjeç, me afat vlefshmërie jo të saktë 10 vjet.

MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike.

Propozimi i ministrisë u miratua në Kuvend në prill të 2014, ku përcaktohej se afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009 – 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh.

Në të njëjtën kohë Ministria e Brendshme mori masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej Gusht 2014 ka vijuar me njoftimin e tyre në pikat e kalimit kufitar, në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë, në median e shkruar dhe elektronike, deklaratat  të herëpashershme dhe vazhdueshme nga zyrtarët të lartë të Ministrisë së Brendshme, nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, si dhe nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Gjithashtu Ministria e Brendshme ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, kjo për shkak dhe të fluksit të emigrantëve, një fluks ky i përvitshëm në këtë periudhë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve, si dhe ka zgjatur orarin e shërbimit, duke i shërbyer dhe shtetasit të fundit në sportel”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Top Channel