Seminari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Mustafa: Pa to, kombi ynë nuk do t’i përballonte sfidat

17/08/2015 00:00

Gjatë kësaj të hëne, në Prishtinë ka nisur punimet edicioni i XXXIV (34) i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes, të mbajtur në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, u tha se ky seminar, që nga themelimi i tij në vitin 1974 ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrjedhën e proceseve kulturore dhe politike në vend.

Dekani i Fakultetit Filologjik, Sedat Kuçi, teksa foli për historikun e seminarit, tha se kjo ngjarje është bërë emblemë, jo vetëm për Universitetin e Prishtinës, por për mbarë Kosovën.

“Në periudhën 1990-2000, kur shteti i Serbisë i mbylli dhunshëm institucionet arsimore në Kosovë, seminari u organizua dy herë në Tiranë. Ky seminar, siç është thënë edhe herë të tjera, është bërë shenjë dalluese, emblemë, jo vetëm e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, por edhe e qytetit të Prishtinës dhe mbarë Kosovës. Duhet të theksojmë se sivjet, pjesëmarrës të seminarit do të jenë edhe përfaqësuesit e arbëreshëve të Zarës”, tha Sedat Kuçi, dekan i Fakultetit Filologjik, UP “Hasan Prishtina”.

I pranishëm në ceremoninë zyrtare të hapjes së seminarit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se, pa ruajtjen e gjuhës shqipe, kombi ynë nuk do të mund të qëndronte përballë sfidave, me të cilat është ballafaquar deri më sot.

“Gjuha shqipe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në progresin tonë historik, politik e ekonomik, si dhe në atë social, prandaj një gjë është e sigurtë: pa gjuhën shqipe të ruajtur dhe të kultivuar, kështu siç kemi bërë, kombi ynë nuk do të mund të qëndronte përballë valëve dhe historisë, me të cilat jemi ballafaquar. Atë jemi munduar ta përcjellim anekënd dhe tashmë ka depërtuar edhe globalisht, sepse e dimë që kemi rreth 20 mijë klikime në videon që kemi bërë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë temë në forma të ndryshme dhe besoj se, deri në fund të vitit, do të kemi edhe një tjetër produkt”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare është organizim i përbashkët i Prishtinës dhe Tiranës, ku këtë edicion do të shpalosin kumtesat e tyre mbi 120 studiues. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe 130 studentë, të cilët do t’i ndjekin kurset e gjuhës shqipe në tri nivele.

Në hapjen zyrtare, të pranishëm ishin Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga; kryetari i Nderit i seminarit, Akademik Idriz Ajeti; ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi; si dhe akademikë e përfaqësues të institucioneve të vendit.

Top Channel