Rasti i vëllezërve Bytyqi, Vukçeviç: Krim shtetëror, të dyshuarit janë pjesë e qeverisë serbe

17/08/2015 00:00

Prokurori serb për Krime Lufte, Vladimir Vukçeviç ka thënë se është bërë progres në hetimin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, duke thënë se vrasja e tyre ishte “krim shtetëror”.

“Shumë të dyshuar ende kanë pozita shumë të rëndësishme në qeveri, ose janë afër qeverisë”, deklaroi Vukçeviç për gazeten serbe “Danas”, duke theksuar se vrasja e tre vëllezërve ishte “çështja numër një në Zyrën e Prokurorit”.

“Ka progres, por kjo është e gjitha çfarë mund të them në këtë pikë pa rrezikuar hetimin. Mund të them se kryeministri Vuçiç ka mobilizuar të gjitha ministritë, organizatat dhe individët që mund të ndihmojnë Zyrën e Prokurorit për Krime Lufte dhe Ministrinë e Brendshme për të zgjidhur këtë rast”, u shpreh ai.

Ylli 25-vjeç, Agroni 23-vjeç dhe Mehmeti 21-vjeç ishin shtetas amerikan me origjinë nga Kosova. Ata kishin lindur në afërsi të Çikagos, ndërsa ishin vrarë në një kamp trajnimi të policisë në Petrovo Selo, një fshat në lindje të Serbisë, vetëm pak kohë pasi kishte mbaruar lufta e Kosovës.

Ata ishin arrestuar në rrethana ta panjohura në Merdare, kufirin mes Kosovës dhe Serbisë dhe ishin dënuar me 15 ditë heqje lirie për kalim të jashtëligjshëm të kufirit.

Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë.

Trupat e vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varr masiv bashkë me ata të 67 meshkujve dhe shtatë femrave në Petrovo Selo në vitin 2011.

Top Channel