Beograd, kallëzim penal për dy pjesëtarë të policisë. Dyshohen për vrasjen e 53 shqiptarëve civilë

17/08/2015 00:00

Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd ka bërë kallëzim penal për dy pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë serbe si të dyshuar për vrasjen e 53 shqiptarëve civilë në luftën e fundit të Kosovës.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, kjo organizatë ka njoftuar se në kallëzim është përfshirë edhe ish-komandanti i kësaj njësie, Dragan Obradoviç për mosndalim ose mosndëshkim të personave që kanë kryer krimin.

Në kallëzim thuhet se “më 17 prill 1999, rreth orës 16, dy pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë kanë hyrë në oborrin e Sinan Muqollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit ishin fshehur 59 persona. Në mesin e tyre ishin edhe fqinjit, ndërsa shumica ishin gra, fëmijë dhe pleq. Sinan Muqolli ka dalë nga shtëpia dhe u ka thënë policëve se në shtëpinë e tij gjendeshin kryesisht gra dhe fëmijë. Ai është urdhëruar t’i nxjerrë të gjithë jashtë me duart lart.

“Pasi i kanë bastisur, policët i kanë urdhëruar të kthehen në shtëpi e të mbyllin derën, derisa në oborr i kanë mbajtur vetëm Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin. Pas disa minutash, policët kanë vrarë Sinanin dhe Ymerin. Më pas njëri prej policëve ka thyer dritaren e dhomës ku gjendeshin gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe pastaj me forcë ka hapur derën dhe në dhomë ka hedhur një bombë, që ka shpërthyer menjëherë.

“Pas disa minutash, i njëjti polic është rikthyer sërish në dhomë për të  kontrolluar nëse ka ndonjë të mbijetuar. Ai kishte vënë re një që lëvizte dhe e kishte vrarë me automatik”, thuhet në kallëzim.

Atë ditë, në Poklek u vranë 53 shqiptarë civilë, në mesin e të cilëve 24 gra dhe 23 fëmijë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin më të vegjël se 7-vjeç, ndërsa dy prej tyre ishin nga njëvjeç. 6 persona arritën të shpëtonin. Kallëzimi është ndërtuar mbi dëshmitë e këtyre personave.

Top Channel