Motrat Kajtazi, minorenia Klevisa lë qelinë, por refuzon shtëpinë

17/08/2015 00:00

Vetëm pak orë pas vendimit të Gjykatës së Durrësit ndaj motrave Kajtazi, sipas të cilit Orialda do të duhet të vuajë dënimin me burg, ndërsa më e vogla e shtëpisë Klevisa do të lirohej me detyrim paraqitjeje, kjo e fundit pasi ka lënë qelinë nuk ka pranuar të rikthehet në shtëpinë e saj.

Klevisa, 14 vjeç, i ka qëndruar edhe njëherë versionit të treguar prej saj dhe motrës 18-vjeçare, Orialda, se prindërit e saj dhe motra më e madhe e familjes janë të dhunshme dhe, nga frika se mos dhunohej sërish prej tyre, nuk preferon të rikthehet në shtëpi.

Ajo do të transferohet në një qendër rehabilitimi për të dhunuarat në Tiranë, edhe pse vajza ka kërkuar të bashkohet me të motrën, që u la në burg, deri në përfundim të hetimeve. Ditën e martë pritet që Gjykata e Durrësit të lëshojë urdhër mbrojtjeje për të.

Sipas burimeve policore, Klevisa është në gjendje të rënduar psikologjike pas ndarjes nga e motra.

Gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë ndaj dy motrave Kajtazi, të cilat u gjetën në një apartament me qira në Vlorë pas arratisë nga familja e tyre në Durrës, në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm prindërit, motra e madhe dhe tezja e vajzave. Pas vendimit të gjykatës për “arrest me burg” ndaj Orialdës nuk kanë munguar lotët e nënës Anila dhe vetë Klevisës nga pas hekurave.

Top Channel