Përgjaken garat në Spanjë, demat vrasin 7 vetë

17/08/2015 00:00

Ky vit ka qenë më i përgjakshmi sa i përket lojërave me dema në Spanjë. Që nga fillimi i muajit korrik e deri në fundjavën që kaloi, shtatë persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve të marra nga demat në rrugët e qytezave spanjolle përgjatë festivaleve të ndryshme tradicionale.

Të gjitha vdekjet kanë ndodhur në rrugë, jo në arenat e toreadorëve dhe ky është një numër jashtëzakonisht i lartë që ka rritur kritikat ndaj këtyre vrapimeve.

Katër të vdekur u regjistruan fundjavën që kaloi dhe mes tyre ishte edhe një 36-vjeçar me pozicion këshilltar në Penafiel, një qytezë pranë Valladolid, në veri të Madridit.

Në Lerin të Nevarras një 18-vjeçar u godit për vdekje në stomak nga një dem, ndërkohë që raste fatale janë raportuar me herët edhe në Valencia, Murcia, Toledo, Castellon dhe Alicante.

Çdo vit zhvillohen rreth 2 mijë gara me dema, ose siç njihen “corridas”. Vitin e kaluar më shumë se 7 mijë dema u vranë gjatë këtyre vrapimeve. Në vitin 2010, Katalunja u bë rajoni i dytë, pas Ishujve Kanarie, që ndaloi traditën e lojërave me dema.

Kundërshtarët i cilësojnë këto gara si barbare dhe po lobojnë kundër tyre. Por sërish garat kanë shumë fansa në gjithë Spanjën dhe njëri prej tyre është edhe kryeministri Mariano Rajoy. Në vitin 2013, ligjvënësit spanjollë kaluan një ligj që mbron garat me dema duke i cilësuar ato si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit, ku shtetit i ngarkohet detyra që ta ruajë dhe promovojë atë.

Por më shumë sesa kulturë, festivalet me dema shihen edhe si një mënyrë e mirë për të rritur të ardhurat, sidomos në këtë periudhë krize për vendin. Vetëm në vitin 2013 këto festivale gjeneruan 282 milionë euro në total.

Top Channel