Gjakovë, i jepet lamtumira akademikut Esat Stavileci

17/08/2015 00:00

Pasditen e së hënës në Gjakovë, i është dhënë lamtumira e fundit, akademikut kosovar Esat Stavileci, që ndërroi jetë ditë më parë. Në varrimin e të ndjerit Stavileci, morën pjesë përfaqësues të pushtetit qëndror e lokal, përfaqësues të subjekteve politike, intelektualë dhe qytetarë të shumtë.

Para se të përcillej për në banesën e fundit, nën përkujdesjen e veçantë të kryetares së Komunës së Gjakovës, në pallatin “Asim Vokshi” është organizuar një mbledhje përkujtuese në nderim të veprës së Stavilecit.

“Vendi dhe kombi ynë humbi një personalitet me vlera të jashtëzakonshme intelektuale, ndaj dhimbja nuk është e përkohshme, por e përhershme. Ne nuk do ta kemi më kreatorin dhe ideatorin, nuk do ta kemi më personalitetin që nxori aq shumë kuadro si profesor universitar, dhe shumë prej atyre studentëve e kujtojnë me nostalgji, e ka ndër ta që edhe deri në ditën e vdekjes e patën koleg të dashur dhe të respektuar”, u shpreh kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila në këtë mbledhje.

Për rolin dhe kontributin e akademikut Stavileci folën edhe Minir Dushi, përfaqësues i intelektualëve të qytetit të Gjakovës, pastaj Hasan Mujaj, nga Universiteti Publik i Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Xhordane Mulla nga një universitet privat.

Ndërsa, në emër të familjes Stavileci, të gjithë të pranishmit i ka falënderuar vajza e akademikut të ndjerë, Miranda.

Pas mbledhjes përkujtuese, qytetarë, përfaqësues të pushteteve qendrore e lokale, intelektualë, krijues dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë në hollin e pallatit “Asim Vokshi” të Gjakovës.

Top Channel