Mustafa, tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e bizneseve për problemet e tyre

17/08/2015 00:00

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë iu ankuan Qeverisë për një sërë çështjesh, që pamundësojnë zhvillimin e tyre dhe me ndikim në zhvillimin e gjithanshëm ekonomik.

Çmimi i lartë i energjisë elektrike, mungesa e infrastrukturës ligjore, mungesa e kuadrove në fusha të caktuara, dinamika e e ngadalshme e veprimit nga ana e Qeverisë; janë vetëm disa nga pakënaqësitë, që përfaqësuesit e bizneseve paraqitën të hënën, në takimin e organizuar nga Qeveria e Kosovës.

“Bizneset vendase dhe investitorët e huaj ballafaqohen me një sërë çështjesh, por dinamika e ndërmarrjes së hapave është vonuar dhe nuk jemi aspak të kënaqur. Një çështje e ngritur disa herë është edhe Komisioni i pavarur për Miniera dhe Minerale”, tha Shpend Balija, nga Këshilli i Investitorëve Europianë.

“Një tjetër çështje është ligji mbi investimin. Nuk janë të parashikuara lehtësime pas investimeve në kompani të dyta. Nëse ke një kompani dhe do të investosh, nuk je në asnjë rast i lehtësuar nga tatimi. Duhet të paguash tatimin mbi divident dhe atë ndaj fitimit për të zhvilluar kompaninë e dytë”, tha Armend Malazogu, pronar i një biznesi të prodhimit të lëngjeve të frutave.

Njëkohësisht, përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan me nota pozitive reformën fiskale të paraqitur nga Qeveria, efektet e së cilës nuk ndihen tani, pasi ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga muaji shtator.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa premtoi zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, duke ndërtuar kapacitete të reja energjetike, përkatësisht Termocentralin “Kosova e re”. Paralelisht me ndërtimin e këtij TEC-i pritet rigjallërimi i Termocentralit “Kosova A”, që në strategjinë qeveritare për energjinë parashikohet të mbyllet. Në këtë takim, kryeministri Mustafa paralajmëroi edhe privatizimin e Telekomit, nga Postë-Telekomi aktual, proces i dështuar ky i qeverisë së kaluar.

“Sa i përket paketës së re fiskale, ne kemi thjeshtëzuar sistemin tatimor dhe procedurat tatimore. Kemi bërë përshkallëzimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Duke ofruar normë të re të zvogëluar prej 8 për qind, konsiderojmë se kjo do të ulë çmimet për disa produkte dhe do të rrisë fuqinë blerëse të konsumatorëve. Jemi kujdesur që në këto zbritje të jetë edhe TVSH-ja për energjinë elektrike. Si një element hyrës i rëndësishëm i prodhimit kemi liruar nga TVSH-ja edhe makineritë që përdoren në procesin e prodhimit”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e institucioneve bankare, të cilët theksuan uljen e normave të interesit në kredi, si një gjë pozitive për bizneset. Megjithatë, në këtë pikë, i pakënaqur ishte ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Ai kujtoi se, bankat tregtare në Kosovë vazhdojnë të mbajnë interesa të larta për kreditë bujqësore.

“Vetë fermerët janë shumë më të rregullt në kthimin e kredive. Kjo – besoj, – do të duhej të ishte një sinjal, që bankat tregtare të kenë një qasje ndryshe ndaj bujqësisë”, tha Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë.

Një çështje tjetër e ngritur ishte ligji për investimet strategjike, në të cilin Qeveria e Kosovës është duke punuar. Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan nga Qeveria, që të jetë më e hapur me ta për natyrën e investimeve strategjike, në mënyrë që – siç theksuan, – ta kenë më të lehtë orientimin e zhvillimit të biznesit.

Top Channel