F1, në Spa do të garohet me të njëjtat goma si në Hungari

17/08/2015 00:00

Të njëjtat goma si në Hungari, edhe në Belgjikë, në garën e fundjavës në Spa Francorchamps, pas ndalesës për shkak të pushimeve verore.

Ferrari duket se do ta nisë gjysmën e dytë të këtij sezoni me një “ndihmë” më shumë, në përpjekjet e tyre për t’iu afruar gjithnjë e më shumë Mercedesëve të pakapshëm edhe këtë edicion, kjo për shkak sepse “kokëkuqja” vjen nga një sukses i arritur në garën e fundit të pjesës së parë, në Hungaroring, me Vettelin si kryesues dhe Raikkonenin deri nga fundi i garës në vendin e dytë, por që u desh të tërhiqej për probleme teknike.

“Për në Spa kemi zgjedhur të njëjtat tipe gomash, siç i kemi përdorur në Hungari, edhe pse dy pistat në fjalë janë me dallime të qenësishme. Ndërkohë që Hungaroringu është një pistë e ngushtë dhe tepër sfilitëse, në Belgjikë do të kemi një pistë të gjerë dhe të shpejtë. Në Spa, gomat përballen me vështirësi në të gjitha drejtimet, por temperatura e ambientit priten të qëndrojnë të ulëta, kështu që tipet e buta dhe të mesme mund të jenë idealet, sa i përket aspektit të performancës dhe jetëgjatësisë”, thotë drejtori i “Pirelli Motorsport”, Paul Hembery.

Në këtë nisje të pjesës së dytë të Botërorit të F1, Hamilton mbetet kryesues me 21 pikë më shumë sesa shoku i tij i skuadrës, Rosberg, e disa më shumë nga Vetteli i skuderisë nga Maranello.

Top Channel