Përmbytjet në Vlorë, nis pastrimi dhe dezinfektimi i rrugëve nga balta e ujërat e zeza

17/08/2015 00:00

Reshjet e dendura të shiut që ranë në qytetin e Vlorës krijuan jo pak shqetësime për banorët, si dhe për pushuesit.

Shiu, i cili nisi me rrëmbim dhe dendësi të lartë, përmbyti shumë rrugë dhe lagje të Vlorës. Jo pak automjete ngelën në rrugë, pasi uji arriti nivele të larta, sa hynte dhe në automjete.

Për këtë situatë të pazakontë për muajin gusht, Bashkia e Vlorës ngriti grupe pune për hapjen e kanaleve të bllokuara dhe për pastrimin e mbetjeve të baltës.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka ndjekur nga afër këtë situatë, së bashku me firmën e pastrimit të qytetit, që vijoi punën për heqjen e të gjithave mbetjeve të sjella nga shiu.

“Kjo është një situatë jo e zakonshme. Edhe kanalizimet e qytetit nuk kanë qenë në funksion të plotë”, tha kryebashkiaku Leli.

Kreu i Bashkisë së Vlorës u shpreh më tej se, së bashku me ujin e shiut janë bashkuar dhe ujërat e zeza dhe për këtë, firma e pastrimit ka hedhur klor në rrugë për dezinfektimin dhe përhapjen e sëmundjeve.

“Jemi sot këtu për të pastruar Vlorën, por kjo është shumë pak, nga ajo që kemi premtuar për një qytet më të pastër”, deklaroi kryetari i Bashkisë, Leli.

Edhe drejtuesi i firmës së pastrimit në Vlorë ka thënë se, që nga mbrëmja e së dielës kanë qenë në terren 85 punonjës të pastrimit, me mjetet e rënda. Puna – sipas tij, – do të vijojë deri sa të hiqen totalisht mbetjet nga rruga.

Top Channel