Milani e nis mbarë sezonin e ri, mposht 2-0 Perugia-n në Kupën e Italisë

17/08/2015 00:00

Mihajlovic e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën e tij në stolin e Milanit, pasi kuqezinjtë, në ndeshjen e parë zyrtare për këtë sezon, mposhtën lehtësisht 2-0 Perugia-n në Kupën e Italisë.

Milani, me 5 lojtarë të rinj në formacion, bindi pavarësisht se kundërshtari nuk ishte i niveleve të larta.

Në pjesën e parë kuqezinjtë dominuan totalisht, duke realizuar edhe dy golat e takimit. Fillimisht ishte japonezi Honda dhe më pas një nga blerjet e kësaj vere, Luiz Adriano e çoi në 2-0 rezultatin në minutën e 29.

Në pjesën e parë shënoi edhe sulmuesi tjetër i ri i kuqezinjve, Bacca, por goli i tij u anulua nga gjyqtari për pozicion jashtë loje të Adrianos, edhe pse ky i fundit nuk e preku topin.

Në pjesën e dytë miqtë u ndëshkuan edhe me karton të kuq në minutën e 66, megjithatë lojtarët e Milanit nuk arritën të shënonin sërish edhe pse rastet ishin të shumta.

Top Channel