Irani kërkon bashkëpunimin me rivalët për paqen në rajon

18/08/2015 00:00

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi programin e tij bërthamor, Irani dëshiron të bashkëpunojë me Perëndimin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme për të promovuar paqen në rajon.

Zv.presidentja iraniane, Masumeh Ebtekar tha për BBC se Irani rezervon të drejtën për t’u vetëmbrojtur, por shtoi se nuk është synimi i Republikës Islamike dominimi në rajon.

“Shpresojmë të rifitojmë besimin e fqinjëve dhe të bashkëpunojmë në luftën kundër grupeve ekstremiste”, shtoi ajo.

Irania është akuzuar vazhdimisht nga Perëndimi dhe Izraeli si nxitës i konflikteve në rajon. Teherani dyshohet se siguron para dhe armatime për presidentin sirian, Bashar al-Assad dhe grupin militant shiitë, Hezbollah, ndërsa së fundmi Arabia Saudite e akuzon se mbështet lëvizjen e rebelëve Houthi në Jemen.

Por krahas këtyre, Republika Islamike ka luajtur një rol kyç në luftën kundër ISIS-it duke mobilizuar grupet shiite në Irak dhe duke dërguar në terrent këshilltarë ushtarakë.

Ebtekar e cilësoi marrëveshjen e arritur me fuqitë e mëdha për programin bërthamor si një hap përpara për gjithë botën.

“Kjo është nisja e një epoke të re bashkëpunimi tregtar, ekonomik e kulturor dhe Irani do të jetë një lojtar i rëndësishëm në këtë pjesë”, deklaroi Ebtekar.

Top Channel