Shpërthimi në Bangkok, kamerat e sigurisë kapin një të dyshuar

18/08/2015 00:00

Ka një të dyshuar për bombën e vendosur një ditë më parë pranë një tempulli hindu në qendër të Bangkokut.

Numri i vdekjeve të atij që kryeministri tajlandez, Prayuth Chan-Ocha e cilësoi si sulmin më të egër ndaj vendit të tij është rritur në 22, ndërsa të lënduarit janë të paktën 123. 8 prej viktimave janë shtetas të huaj, 5 kinezë, 2 malajzianë e një filipinas.

Sipas Prayuth, agresorët nuk janë identifikuar, por policia po heton mbi njërin prej të dyshuarve, i cili shfaqet në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë pranë tempullit Erawan Hindu, një prej objekteve më të frekuentuara prej turistëve në qytet.

Personi në fjalë, që duket si i huaj, mbërrin në vendngjarje pak minuta përpara shpërthimit me një çante shpine, dhe kur largohet prej andej, çantën nuk e ka më me vete.

Bomba shpërtheu rreth ores 19:00, me orën lokale, një kohë kjo kur si tempulli vetë, ashtu edhe kryqëzimi i “Ratchaprasong” ku ai ndodhet, ishin të mbushur me njerëz.

Zona e mësyrë strehon një qendër të njohur tregëtare, hotele dhe njësi shitjeje lukzose që tërheqin vizitorë të shumtë. Sipas korespondenteve të huaj, nëse dikush do të donte t’i shkaktonte dëm të madh industrisë së turizmit në Tajlandë, ky ishte vendi ideal për ta bërë një gjë të tillë.

Arsyet e këtij sulmi nuk dihen ende, por ndërsa hetimet vazhdojnë, autoritetet nuk përjashtojnë dhe mundësinë e përfshirjes se një lëvizjeje anti-qeveritare, që bazen e ka në verilindje të vendit.

Referimi ndaj këtij grupimi ka të bëjë me të ashtuquajturat “këmisha të kuqe”, Fronti i Bashkuar për Demokracinë kundër Diktatures që konsiderohet i afërt me familjen e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra, motra e të cilit Yingluck, u shkarkua nga posti i kryetares së ekzekutivit  7 majin e vitit 2014 me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Shinawatrat konsiderohen armiq të Juntes ushtarake në pushtet.

Megjithatë për momentin, këto mbeten vetëm hamendësime për sa kohë askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e atentatit.

Top Channel