Turqia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme

18/08/2015 00:00

Pas dështimit të bisedimeve me nacionalistët e MHP-së, kryeministri turk rrëfeu se tashmë çdo mundësi për krijimin e një qeverie koalicioni ka shterruar, çka e shtyn vendin më pranë zgjedhjeve të parakohshme.

Ahmet Davutoglu u shpreh se do t’i kthehejë mandatin Presidentit. Partia kryesore e opozites, CHP nuk humbi kohë për të deklaruar se tani, formimi i ekzekutivit të ri duhet t’i kalojë asaj.

E gjithë kjo pasiguri në skenën politike turke vjen në mesin e një përshkallëzimi të dhunës brenda kufijve të Turqisë, si edhe dy fqinjëve të saj, Sirisë dhe Irakut.

Partia AK e Davutoglusë e humbi mazhorancën e saj qeverisëse 12-vjevcare në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, në masë të madhe për shkak të suksesit që pati HDP-ja pro-kurde.

Pas negociatave me liderin e partisë Lëvizja Nacionaliste, Devlet Bahceli të hënën, kreu i ekzekutivit turk dha këtë deklaratë.
 
“Besoj se kam ndarë çdo opsion të mundshëm me partitë opozitare. Sot diskutuam katër alternativa, por duhet të them se nuk ka terren të përshtatshëm për të hedhur hapa të rinj. Do të takohem me Presidentin, e në qoftë e nevojshme, do t`i kthej mandatin pasi të diskutoj me të”, u shpreh kryeministri turk, Davutoglu.
 
Edhe pse partia e Davutoglusë siguroi 41% të votave në votimet e qershorit, sërish i është dashur të kërkojë mbështetjen e një force politike rivale për krijimin e koalicionit, por dështoi në arritjen e një marrëveshjeje me CHP-në mbi çështje që kishin të bënin me arsimin dhe politiken e jashtme.

Megjithatë edhe vetë kjo parti ka pak gjasa që të marrë përkrahjen e MHP-së dhe HDP-së në krijimin e një koalicioni të sajin, çka e bën shumë më të madhe mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Top Channel