Shkatërrohen midhjet në Butrint. Kultivuesit, kundër zgjidhjes së dhënë nga Ministria

18/08/2015 00:00

Kultivuesit e midhjeve në liqenin e Butrintit janë duke humbur miliona lekë investime, për shkak të temperaturave të larta në liqen.

Temperaturat nën 1 metër thellësi shkojnë në 33 gradë Celcius, ndërsa në sipërfaqe shkojnë edhe 34-35. Kushtet atmosferike nuk mbeten i vetmi faktor për këtë situatë, që duket se është më e keqja e regjistruar ndonjëherë. Kultivuesit thonë se mungesa e freskimit të liqenit nga Kanali i Vivarit e bën të pamjaftueshme ndërhyrjen e ujërave të Bistricës.

Aktualisht, i gjithë prodhimi i këtj viti, që pritej të shkonte në rreth 18 mijë kuintalë, është eliminuar. 30 përqind e midhjeve të vendosura në pjesën e sipërme të vargjeve apo deri në 1 metër thellësi dhe midhja farë, pritet të mbijetojnë për vitin e ardhshëm.

“Është në masën mbi 60 përqind. Sot është i matshëm dëmi i bërë. Mund të shihet në çdo moment. Është një problem tjetër, sepse ky dëm sa vjen e rritet ngaqë ato toksikojnë njëra-tjetrën, derisa të freskohet liqeni i Butrintit, të arrijë parametrat optimalë, se midhja reziston deri në 28 gradë, sot temperaturat nën 2 metër ujë janë 32-33 gradë”, thotë Adem Oruçi, kultivues i midhjeve.

Në përgjigje të situatës, një urdhër i Ministrisë së Bujqësisë kërkon zhvendosjen e përkohshme të midhjeve në zonën bregdetare të detit Jon në gjirin e Butrintit dhe alokimin e tyre sipas koordinatave të përcaktuara nga ekspertët.

“Edhe me këtë urdhër është abuzuar, sepse ky urdhër më detyron që të shkoj e të investoj 300 metër larg bregut, në atë zonë ku thellësia tejkalon 100 metrat. Nuk jemi në puse nafte, nuk do peshkojmë balena. Ne do të kultivojmë midhje. Do çojmë midhje deri në 50 metra larg, jo 300 metra larg bregut. Në një nga pikat thotë deri në shtator dhe kjo thotë që për një muaj të bësh një investim 40 e ca mijë euro dhe t’i hedhësh poshtë”, thotë më tej Oruçi.

Liqeni i Butrintit, me sipërfaqe rreth 1600 hektarë, numëron aktualisht rreth 78 impiante midhjesh, prej të cilave gati 68 janë eficente. Ndryshimi i kushteve fiziko-kimike të liqenit ka shkaktuar dëme serioze përgjatë 5 viteve të fundit, por situata e këtij viti është më kritikja e shënuar ndonjëherë.

Top Channel