Topalli: Pse po hesht opozita përballë problemeve të vendit?

18/08/2015 00:00

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka kritikuar qëndrimet e opozitës dhe të Partisë Demokratike mbi një sërë problematikash, që sipas saj, po kalon vendi.

Topalli rendit përmes një postimi në Facebook evazionin fiskal, azilantët, mungesën e ujit dhe dritave në zonat turistike e të tjera. 

“Ikin 150 milionë euro nga evazioni fiskal dhe vjedhja pa hesap, ikën FMN, ikin në korrik 7.000 shqiptarë  të tjerë për azil, ikin dritat dhe uji në kulmin e sezonit turistik nga Velipoja në Sarandë, ikin të torturuar emigrantët shqiptarë, që për të marrë pasaportën e fëmijëve, zënë radhët me ditë në kulmin e të nxehtit, ku marrin dhe ndonjë grusht, ikim lart në renditjen për çmimin më të shtrenjtë të naftës, fusim në burg fëmijë 4-vjeçarë dhe e trajtojmë si kafshë, grabiten si kurrë më parë banesat edhe në qendër të qyteteve, ikin për pushime të gjata dhe ‘udhëheqësit’ politikë dhe asgjë nuk ndodh”, shkruan Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit ngre pyetjen “pse”, duke sqaruar se kjo pyetje nuk është për qeverinë dhe mazhorancën në pushtet, por për opozitën.

“Pse?”, pyet ish-kryetarja e Kuvendit, duke sqaruar se pyetja e saj nuk i drejtohet klikës në pushtet.

“Pyetjen nuk e kam për klikën në pushtet. Jo! Pyetjes duhet t’i përgjigjet opozita”, thotë ajo.

Top Channel