Greqi, kompania gjermane merr në koncesion 14 aeroporte rajonale

18/08/2015 00:00

Kompania gjermane “Fraport”, që ka nën pronësi dhe menaxhim Aeroportin e Frankfurtit, ka marrë në koncesion 14 aeroporte rajonale në Greqi, në një marrëveshje që ka kapur vlerën prej 1.23 miliard euro.

Sipas vendimit të publikuar në gazetën e qeveritare, kontrata do të bazohet në kushtet të cilat janë publikuar në tenderin që iu është dhënë kompanisë me bazë në Frankfurt.

14 aeroportet të cilat tashmë janë nën menaxhimin e “Fraport” janë ato në Selanik, Korfuz, Kefalonia, Zakynthos, Kavala, Rodos, Kos, Samos, Mytilini, Santorini, Skiathos, Mykonos, Aktion dhe Chania.

Privatizimi i aeroporteve rajonale është përfshirë në memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet qeverisë greke dhe huadhënësve, në mënyrë që shteti helen të përfitojë paketën e tretë të ndihmave në vlerë prej 86 miliardë euro.

Në të vërtetë, interesimi i kompanisë gjermane për 14 aeroportet rajonale daton që në nëntor të vitit 2014, atëherë kur publikisht deklaroi se ishte e interesuar për të investuar dhe për të marrë nën menaxhim ato.

Top Channel