Motrat Kajtazi, urdhër mbrojtjeje për 14-vjeçaren Klevisa

18/08/2015 00:00

Gjykata e Durrësit ka lëshuar mesditën e së martës një urdhër mbrojtjeje për vajzën e vogël të familjes Kajtazi.

Ndonëse pa prova të mjaftueshme për të besuar se familja mund të kryejë veprime të dhunshme ndaj 14-vjeçares, Gjykata e Durrësit e ka konsideruar të domosdoshëm lëshimin e urdhrit për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e saj.

Një ditë më parë, pas seancës për shqyrtimin e ligjshmërisë së ndalimit të dy motrave Kajtazi dhe caktimin e masës së sigurisë, Klevisa u la e lirë në sallën e gjyqit me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dy herë në muaj, pranë Policisë Gjyqësore, ndërsa motra e saj e madhe u la në “arrest në burg”.

Ndarja nga motra më e madhe krijoi një gjendje të rënduar psikologjike te Klevisa 14-vjeçare, e cila refuzoi të kthehej pranë familjes. Ajo u shpreh e frikësuar nga kthimi atje, pas zhvillimeve nga 15 korriku e në vazhdim. Në këto kushte u vendos të lëshohet një urdhër mbrojtjeje, që i mban larg familjarët nga e mitura, e cila do të qëndrojë përkohësisht në një qendër rehabilitimi për të dhunuarat, në Tiranë.

Top Channel