Rreziku nga depozitat e ujit, ndotje alarmante

18/08/2015 00:00

Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si dhe pjesë të tjera të bregdetit të Durrësit, pushues e banorë ankohen për ujin e ndotur që rrjedh në rubinetat e çezmave të tyre gjatë ditës.

Nuk kanë munguar as problemet shëndetësore, ndërsa nuk dinë ku duhet ta adresojnë shqetësimin e tyre.

Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Durrës monitoron çdo ditë cilësinë e ujit të pijshëm në 36 pika fundore në Durrës dhe Shijak dhe deklaron se pavarësisht ankesave nga qytetarët, uji i pijshëm është brenda normave të konsumit.

Ndërhyrjet në rrjet gjatë punimeve të ujësjellësit apo çarja e tubave, çojnë drejt depozitave të konsumatorëve ujë të ndotur. Të ekspozuara gjithashtu ndaj faktorëve të jashtëm, si dielli, reshjet apo dhe përmbytjet në rastin e depozitave të përbashkëta që ndodhen në katet e nëndheshme të pallateve të reja, depozitat kthehen në mbajtëse papastërtish, dherash dhe ngarkesash të tjera baktereologjike, që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.

“Depozitat duhet të pastrohen çdo 6 muaj. Është një procedurë pune e tillë, që çdo 6 muaj duhet të pastrohen. Pastrohen gjithmonë nga vetë personat, ose nga firma private që janë të licencuara. Në bazë të ligjit, çdo pallat duhet të ketë administratorin e vet dhe ai është përgjegjës për mirëmbajtjen e pallatit, por edhe mirëmbajtjen e depozitave”, thotë Nestor Mensuri, shef i Shërbimit të Shëndetit Mjedosir në DSHP e Durrësit.

Në rastet kur konstatohen probleme me cilësinë e ujit dhe mosndërhyrjen e administratorëve, Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Durrës fton qytetarët të njoftojnë Inspektoriatin e Shëndetit Mjedisor.

Specialistët e shëndetit tërheqin vëmendjen edhe ndaj depozitave të betonit në pallatet e reja, të cilat në jo pak raste janë të paveshura me pllaka apo të palyera me lëndë hidroizoluese të posaçme për ujin e pijshëm e që e mbrojnë betonin nga veprimi gërryes i ujit.

Top Channel