Lufta kundër korrupsionit, IKD: Po bëhet vetëm në letër

18/08/2015 00:00

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Në kërkim të rrugës për luftimin e korrupsionit” i cili trajton luftën kundër korrupsionit nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial.

Sipas këtij raporti, lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet i të gjitha institucioneve shtetërore dhe agjencioneve të obliguara për zbatimin e ligjit, por një gjë e tillë mbetet vetëm në letër.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu tha se Kosova ende po dështon në luftimin e këtij fenomeni.

“Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet dhe agjencionet që e zbatojnë ligjin në Kosovë. Po në fakt në praktikë të gjitha të dhënat tregojnë se luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet thjeshtë një prioritet në letër dhe assesi nuk është duke u luftuar në praktikë, sidomos këtu e kam fjalën për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë”, u shpreh Musliu.

Sipas tij, institucionet e obliguara për të zbatuar ligjin në Kosovë, vazhdojnë të përballen me presione të ndryshme për të dëshmuar punën e tyre, por në fund rezultatet e paraqitura, dalin të jenë të pakta.

“Përkundër faktit që në Kosovë ka shumë strategji dhe shumë plane të veprimit e të cilat do të duhej të tregonin efikasitet në luftimin e korrupsionit, në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Ajo që sot po e shohim është një presion i sistemit të drejtësisë që të dëshmojë rezultate dhe anën tjetër është duke u parë me vite të tëra, sidomos në vitet e fundit, një punë e cila është duke filluar me bujë të madhe, por që në fund po rezulton pa kurrfarë suksesi. Ka, pra, një rrugë të humbur të sistemit të drejtësisë”, vazhdoi drejtori ekzekutiv i IKD-së.

Musliu ka vlerësuar se drejtësia në Kosovë, në raste të caktuara është selektive.

Në këtë raport thuhet se që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit, në nëntor 2013, nga 515 raste të pazgjidhura, është shtuar numri në 589, me 1702 persona të përfshirë në to.
Përveç gjetjeve lidhur me mungesën e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit, raporti sjellë edhe një sërë rekomandimesh konkrete për institucionet përgjegjëse për luftimin e këtij fenomeni.

Top Channel