PD: Të hetohet trajnimi, 720 milionë lekë iu dhanë firmës së afërt me qeverinë. Reagon OSHEE

18/08/2015 00:00

Partia Demokratike kërkoi sot përmes zëdhënëses së saj, që Prokuroria të hetojë lidhur me trajnimin e punonjësve të OSHEE-së, për të cilën sipas PD-së i janë paguar një firme konsulente të afërt me qeverinë, 720 milionë lekë.

“Siç e ka bërë traditë Edi Rama me agjensitë e tij, OSHE ka vendosur të mbledhë një shumë të madhe parash, 720 milionë lekë, për tia dhënë një miku të qeverisë. Ndiqet praktika e vendosur tashmë nga Edi Rama, me koncesionet dhe tenderat e tij, ku kriteret qepen në mënyrë të atillë, që ti shkojnë për shtat fituesit të paracaktuar. Është hera e parë që OSHE vendos të shpenzojë kaq shumë para për trainime. Sipas ekspertëve, organizata e shpërndarjes së energjisë, ka mbledhur të gjithë tranimet bashkë, për tia dhënë me një dorë klientit të Edi Ramës. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë këtë rast skandaloz të abuzimit financia”, tha Oriela Nebiaj, zëdhënëse e PD-së.

 

Ndërkohë, OSHEE ka reaguar për këto akuza, duke u shprehur se PD kërkon të njollosë e përbaltë gjithçka.  “Situata problematike e trashëguar në marrëdhënien mes kompanisë dhe qytetarëve e bën edhe më të domosdoshme kthimin e vëmendjes tek cilësia e burimeve njerëzore që përbëjnë një aset të domosdoshëm”, thotë OSHEE në deklaratën e saj.

OSHEE sqaron më tej se me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, pas një mungesë tre vjeçare, OSHEE ka miratuar në Buxhetin e vitit 2015 programin për trajnimin e 5500 punonjësve saj. “Buxheti i kompanisë është konsultuar dhe dakordësuar edhe në konsultim me Bankën Botërore në kuadër të procesit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike. Shifra 72 milion lek është caktuar pas analizës që i është bërë tarifave të tregut të këtij shërbimi, duke ftuar të gjithë aktorët kryesorë”, thuhet në njoftim.

Top Channel