Lamtumira e “kapedanit” të filmit. Homazhe për të nderuar veprën e Artistit të Popullit, Albert Verria

18/08/2015 00:00

I ka takuar qytetit të Vlorës, t’i japë lamtumirën e fundit Albert Verrisë, aktorit brilant të skenës shqiptare që u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

Familjarët, kolegët, miqtë dhe qytetarë të shumtë të qytetit bregdetar bënë homazhe në teatrin “Petro Marko” në nder të veprës së paharruar të Bertit, siç e njihnin të gjithë qytetarët e Vlorës, para të cilëve interpretoi për vite me radhë si aktor.

“Po e përcjellim një nga shtyllat e teatrit shqiptar, Artistin e Popullit Albert Verria, i cili ka ngulur një gurthemel i cili nuk do të shkulet kurrë nga historia e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Megjithatë, ai do të mbetet i pavdekshëm, veprat e tij flasin dhe do të flasin brez pas brezi”, u shpreh Luftar Paja.

Vetëm ndarja nga jeta e tij, do të bëntë të njohur për publikun e gjerë faktin se Albert Verria ka lindur në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria. Por, pjesën më të madhe të karrierës si aktor Albert Verria e ushtroi në Teatrin e Vlorës, duke u shndërruar në ikonën e qytetit e duke bërë që publiku shqiptar ta njihte dhe cilësonte atë, si aktorin vlonjat.

“Ky boshllëk është vetëm fizik, ai nuk do të jetë më mes nesh, por sigurisht vepra që ai ka lënë do të jetë, siç ka qenë për të gjithë brezat që janë rritur në këtë vend, një frymëzim i madh për kulturën, një vlerësim i madh për artin e tij. Jam i sigurt që vlonjatët do ta ndiejnë për një kohë të gjatë mungesën e Bert Verrisë”, u shpreh kryetari i Vlorës, Dritan Leli.

Kontributi i Albert Verrisë në skenën e Teatrit të Vlorës, do të vlerësohej në 2006, nga kryebashkiaku i atëhershëm Gjika, me titullin “Qytetar nderi”.

“Sot është një ngjarje e dhimbshme për qytetin e Vlorës, për artin shqiptar. Sot është larguar përgjithmonë dhe jo duke luajtur ato rolet e tij klasike Berti ynë i dashur. Sigurisht që e kujtojmë si një nga korifejtë e kinematografisë dhe artit skenik shqiptar dhe një nga ikonat e qytetit të Vlorës”, deklaroi ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.

Albert Verria është aktori i roleve të spikatura, të ngulitura thellë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve.

Talenti i tij spikati që në fëmijëri, duke bërë që rrugës së artit, Albert Verria t’i hynte herët. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme në Fier, në vitin 1959, kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria fitoi studimet dhe u diplomua me grupin e parë të saj.

U emërua aktor në Teatrin e Vlorës. Që nga viti 1979, Albert Verria mban titullin “Artist i Popullit”.

Nga viti 1963 dhe deri më 1991, kur doli në pension, ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme.

Por, roli që mbetet më i dashuri e i paharrahueshëm për shqiptarët, ishte ai i “xha Sulos” tek filmi “Kapedani”. Jo vetëm interpretimi brilant, por roli në këtë film mbart vlerën e shtuar të aktorit që ishte vetëm 36-vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e të moshuarit, duke i dhënë Albert Verrisë një vend në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë dhe cilësimin e tij si “Kapedani i artit shqiptar”

Kaporal Pelegrini te “Në fillim të verës”, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël”, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”, janë disa prej roleve që e bënë atë një aktor mjaft të dashur për publikun.

Para pak muajsh, Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar, me një rol në filmin “Contromano”. Personazhi që do të luante ishte një 80-vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve.

Por, ai nuk mundi ta realizonte rolin e tij të fundit që e kishte shumë qejf, për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës.

Top Channel