F1, Alonso: Spa-ja do të jetë e vështirë për ne

18/08/2015 00:00

Fernando Alonso ka deklaruar në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës se gara që do të zhvillohet në pistën e Spa-Francorchamps do të jetë shumë e vështirë për McLaren-in e tij.

“Është një pistë që kërkon fuqi, ngarkesë aerodinamike dhe shpejtësi. Do të jetë e vështirë për ne. Është një pistë spektakolare dhe tifozeria është e mahnitshme. Kurrë nuk e kam fituar këtë garë në Formulën 1, vetëm një herë kur garoja në Formulën 3000”, tha Alonso në deklarata të publikuara nga skuadra britanike.

Dy herë kampioni i botës tha se garat e ardhshme do të jenë të rëndësishme për të parë përmirësimet që ka bërë njëvendëshja MP4-30: “Duhet të ruajmë ecurinë e mirë që kemi treguar në garat e fundit dhe të kërkojmë përmirësimin e mëtejshëm. Edhe pse këto përmirësime nuk do të jenë të dukshme në pista si Spa apo Monza, duhet të vazhdojmë me punën e nisur”.

Top Channel