Kosovë, promovohet kultivimi i mjedrave. Fitimprurëse për fermerët dhe ekonominë

18/08/2015 00:00

Në Prishtinë ka nisur “Java e mjedrave”, kultivimi i të cilave u vlerësua se ka potencialin e një kulture të rëndësishme dhe fitimprurëse për Kosovën, duke u tregtuar edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Në hapjen e panairit katërditor, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha se, nga viti në vit ka pasur rritje të madhe të sipërfaqeve të prodhimtarisë dhe përfitimeve për kultivuesit.

“Mjedra (manaferrë e kuqe) është një nga pemët frutore me potencialin më të madh në Kosovë, gjë që është dëshmuar edhe me rritjen e madhe nga viti në vit të sipërfaqeve të prodhimtarisë dhe përfitimeve për bujqit. Përfitimet e fermerëve janë shumë të mëdha dhe ne, si ministri, në partneritet me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor të rëndësishëm, me fokus të veçantë te pemët e manave”, tha Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri Krasniqi tha se dikasteri që ai drejton ka filluar këtë vit me projekte të reja, duke përfshirë edhe subvencionimin për herë të parë të pemishteve ekzistuese. Ai bëri të ditur se janë mbështetur me mbi 1 milionë euro pemët e manave, ndërsa për pemët ekzistuese me rreth 400 euro për hektar.

Drejtori i USAID në Kosovë, James Hope tha se, ky mision ka mbështetur afro 300 prodhues të mjedrës në mbarë vendin.

“USAID-i është shumë krenar, që ka mundur të mbështesë rreth 300 prodhues e kultivues të mjedrave anembanë Kosovës. Kjo mbështetje e USAID-it ka të bëjë me sjelljen e varieteteve të reja, teknologjisë së re dhe mënyrën e re të paketimit dhe nxjerrjes në treg. Sikurse tha ministri, kjo ka sjellë një sasi më të madhe dhe cilësi më të mirë. Gjithashtu, kjo ndihmë ka çuar te rritja e shitjeve, pasi ato janë trefishuar. Madje kemi edhe eksporte në tregjet e Bashkimit Evropian”, tha James Hope, drejtor i USAID-it në Kosovë.

Edhe fermerët pjesëmarrës në panair kanë vlerësuar si fitimprurëse kultivimin e mjedrës, duke shtuar se qytetarët dhe shumë përfaqësues të shoqatave të ndryshme po shfaqin interesim për produktet e tyre.

Synimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe USAID-it është që, duke ndihmuar zhvillimin e këtij sektori deri në vitin 2018-n, Kosova të bëhet furnizuesja kryesore e mjedrave të freskëta dhe të përpunuara për tregun vendas, rajonalin dhe atë të BE-së.

Top Channel