Maqedoni, humb jetën emigranti ilegal pas përplasjes nga treni

18/08/2015 00:00

Një emigrant ka humbur jetën si pasojë e përplasjes nga një tren në afërsi të pikëkalimit kufitar të Tabanocit, mes Maqedonisë dhe Serbisë.

Ende nuk dihen mosha apo kombësia e emigrantit të futur ilegalisht në vendin fqinj, por ai është dërguar në spital menjëherë pas përplasjes, e megjithatë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë rrugës.

“Rreth orës 10:30, një tren transportues me itinerar Kumanovë-Tabanoc ka përplasur një person të panjohur, i cili dyshohet të jetë një emigrant ilegal. Personi, gjatë rrugës për në emergjencën e Shkupit ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Ivo Kotevksi, zëdhënës i policisë maqedonase.

Sipas Kotevskit, policia ka hasur probleme me emigrantët ilegalë, për shkak të rritjes së numrit të tyre nga dita në ditë.

“MPB-ja i ka angazhuar të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, por ato nuk janë të pafundme, pasi Maqedonia është një vend i vogël. Është fakt se, përveç numrit zyrtar, ekziston edhe një numër ‘gri’ i personave që nuk kanë kërkuar fare vërtetim nga policia. Nuk mund të tregojmë saktë, sesa të tillë janë, por mendojmë se numri prej 40 mijë personash, që kanë hyrë në Maqedoni përgjatë dy muajve të fundit, nuk është tregues real për gjendjen faktike”, ka pohuar Ivo Kotevski.

Ndërkohë, edhe organizatat humanitare paralajmërojnë se rezervat ushqimore të tyre janë drejt përfundimit, ndaj dhe kërkojnë mundësi të tjera për transportin e tyre, ngaqë rrjeti hekurudhor i Maqedonisë nuk mundet ta përballojë këtë fluks të lartë të emigrantëve.

Fatkeqësia e sotme nuk është e para, që ka ndodhur në Maqedoni. Në muajin prill të këtij viti, 14 emigrantë nga Somalia dhe Afganistani humbën jetën, pasi i shtypi një tren, që qarkullonte me itinerar nga Velesi në drejtim të Shkupit.

Aktualisht, Maqedonia është vendi më fatkeq dhe me bilancin më tragjik në Ballkan, sa i përket numrit të emigrantëve që kanë humbur jetën tragjikisht në këtë vend. Nga fillimi i vitit 2014, në Maqedoni kanë humbur jetën rreth 26 emigrantë, të cilët vijnë kryesisht nga vendet e varfëra apo të përfshira në luftë, siç janë Siria, Libia, Somalia, Afganistani, Iraku etj.

Top Channel