Biletat, interes i madh për Skënderbeu-D. Zagreb. Shiten si për kombëtaren

18/08/2015 00:00

Një ditë përpara ndeshjes mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, e vlefshme për fazën “play off” të Champions League, në sportelet e shitjes së biletave vihet re një interesim i jashtëzakonshëm jo vetëm i tifozëve korçarë, por nga të gjitha trevat shqiptare.

Nga informacionet e deritanishme mësohet se janë shitur mbi 9 mijë bileta, nga 12 mijë që janë në dispozicion të skuadrës vendase.

“Deri tani ka pasur një interes të jashtëzakonshëm. Kemi 9300 bileta të shitura për tifozët vendas. Ka tifozë edhe nga trevat e tjera shqiptare, si nga Maqedonia e Kosova. Nga konfirmimet që kemi deri në këto momente, priten të jenë rreth 80 tifozë miq”, tha Arqile Zhidro, nga zyra e Marrëdhënieve me Publikun, ekipi i Skënderbeut.

Ndërkohë tifozët, mjaft të interesuar për bileta, shprehen se një ndeshje e tillë historike për Shqipërinë është e rëndësishme të ndiqet nga shkallet e stadiumit, për t’i dhënë zemër skuadrës korçare.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan bëri të ditura edhe masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjes, për të cilën do të angazhohen mbi 400 forca policie.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore si: shëtitorja nga stadiumi deri tek “1 Maji”; nga Bashkia deri në dalje të Unazës; nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit Sportit, nga rrethrrotullimi i luleve deri te rrethrrotullimi i Zaranikës; si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve para stadiumit.

Hyrja e sportdashësve do të nisë 2 orë para fillimit të ndeshjes.

Top Channel