Dukagjin, dita e parë e operacionit antikanabis. Asgjësohen 147 parcela me 18 mijë rrënjë

18/08/2015 00:00

Më shumë se 450 forca policore nisën herët mëngjesin e së martës një operacion për shkatërrimin e bimëve narkotike të mbjella në zonën e Dukagjinit.

Ky operacion antikanabis po zhvillohet pranë fshatrave Ndreaj, Brashtë, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi në zonën e Dukagjinit, ku gjatë një kontrolli ajror më herët, në këtë zonë policia arriti të vërejë parcela të shumta të mbjella me kanabis sativa. Në bazë të përllogaritjes së këtyre të dhënave të vrojtuara nga ajri, autoritetet policore thonë se kanë bërë çdo përllogaritje të nevojshme për të shkatërruar edhe parcelën më të vogël në këtë zonë.

Ky është edhe shkaku që në operacion janë përfshirë më shumë se 450 policë dhe 70 automjete. Në bazë të planit të hartuar, operacioni do të zgjasë disa ditë dhe në drejtimin e tij janë vënë që tani drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Forcat policore i përkasin repartit special RENEA, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, si edhe pothuajse pjesa më e madhe e strukturës policore të Qarkut të Shkodrës. Në informacionin zyrtar të mesditës u raportua për të paktën 65 parcela të shkatërruara me mbi 6 mijë e 600 rrënjë kanabis sativa. Por, me kalimin e orëve dhe pa ndërhyrje nga faktorë të tjerë, raportimi i pasdites së vonë shkoi në 147 parcela të shkatërruara me 17 mijë e 890 bimë narkotike.

Ashtu siç ndodhi edhe në Lazarat, për çdo parcelë të shkatërruar grupet hetimore sekuestrojnë si provë materiale bimën narkotike dhe më pas japin lejen e shkatërrimit të saj në vend. Nëpërmjet kësaj metode, operacioni antikanabis bën të mundur evidentimin dhe më pas shkatërrimin e lëndëve narkotike, duke patur në fokus edhe kapjen e kultivuesve.

Ndërkohë, Policia e Shtetit bëri mbrëmjen e së martës bilancin e operacionit të sotëm antikanabis në Dukagjin, duke thënë se gjatë këtij operacioni u asgjësuan 18 mijë rrënjë kanabis.

Aktualisht, operacioni është ndërprerë për shkak të errësirës dhe do të vijojë nesër. Forcat policore janë akomoduar pranë qendrës shëndetësore Bregu i Lumit.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim Dedë Mosheqaj, pasi pranë banesës së tij në Vuksan u gjetën 1953 rrënjë kanabis.

Top Channel