Skënderbeu-D. Zagreb, trajnerët “mprehin shpatat”. Josa difensiv, Mamiç optimist

18/08/2015 00:00

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, ka theksuar se skuadra e tij nuk duhet t’u japë në asnjë moment mundësinë kundërshtarëve që të shënojnë në “Elbasan Arena”.

“Në futboll nuk flas me përqindje. Ne duhet të jemi shumë më tepër të kujdesshëm sesa në ndeshjet me dy kundërshtarët e mëparshëm në Champions League, në mënyrë që mos t’u japim mundësi kundërshtarit, kur ne të kemi topin në zotërim, të na kundërvihet”, u shpreh trajneri tiranas i Skënderbeut, Mirel Josa.

“Ne duhet të jemi perfektë, sepse luajmë ndaj një kundërshtari, që ka disa individualitete që nuk falin, por të shënojnë me t’u dhënë mundësia. Kështu që padiskutim duhet të jemi në maksimumin tonë në çdo sekondë të lojës. Mendoj se kjo do të bëjë diferencën në takimin e nesërm”, deklaroi kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi.

Pavarësisht fjalëve të mira që tha për Skënderbeun, trajneri i Dinamos së Zagrebit, Zoran Mamiç pohoi se, sfida mes këtyre dy ekipeve nuk do të rezervojë asnjë surprizë.

“Përveç respektit që kemi për Skënderbeun, si ekipi kampion i Shqipërisë, duhet të dini që ne shkojmë për fitore në çdo ndeshje. Ndryshe nga skuadra korçare, ne kemi më shumë kualitete në ekip, të cilët do të bëjnë diferencën. Kështu që ne do të kualifikohemi pa asnjë problem”, tha Zoran Mamiç, trajner i Dinamos së Zagrebit.

Top Channel