Marrëveshja bërthamore, Khamenei: Irani s’ka vend për influencën amerikane

18/08/2015 00:00

Irani do të vijojë t’i mbajë të mbyllura “dyert” ndaj influencës amerikane dhe do të vazhdojë të kundërshtojë politikat e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha botërore, u shpreh udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei gjatë së hënës, duke theksuar më tej se secili prej dy vendeve respektive mund ta bllokojnë ende akordin.

Kleriku 76-vjeçar, që rezulton edhe autoriteti më i lartë i Republikës Islamike të Iranit, është përmbajtur disi nga dhënia e deklaratave decizive mbi marrëveshjen bërthamore të 14 korrikut, por gjithsesi i ka dhënë Presidentit Hassan Rouhani mbështetje tepër të rëndësishme politike për të ndjekur bisedimet me 6 fuqitë botërore.

Teherani pranoi të kufizojë në mënyrë të verifikueshme programin e saj për energjinë bërthamore, në mënyrë që të krijojë besueshmërinë se nuk do të synojë kurrë të zhvillojë armët bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare që kanë goditur ashpër ekonominë e tij të bazuar kryesisht në eksportin e naftës.

“Ata menduan se kjo marrëveshje, e cila në fakt nuk është e qartë ende nëse do të miratohet në Iran apo në Amerikë, do ta bënte Iranin më të hapur kundrejt influencës së tyre”, është cituar të ketë thënë Khamenei në faqen e tij të internetit, gjatë një takimi me anëtarë të Unionit Islamik të Radios dhe Televizionit. “Ne e kemi bllokuar këtë mundësi dhe do ta bllokojmë gjithnjë në të ardhmen. Nuk do të lejojmë influencë amerikane, qoftë politike, ekonomike apo kulturore, të depërtojë në Iran”.

Shumica e analistëve e shohin mundësinë që Khamenei të refuzojë një marrëveshje bërthamore si tepër të vogël, për sa kohë që ajo miratohet në Kongresin amerikan, ku republikanët në opozitë synojnë ta bllokojnë atë. Por, Khamenei e ka hedhur poshtë gjithmonë nocionin se ajo marrëveshje mund të pajtojë Republikën Islamike me Shtetet e Bashkuara, armikun e tyre më të betuar që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Khamenei dëshiron që marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të mbetet tërësisht në kufinjtë e ‘bërthamoreve’ dhe të mos ketë aspak ndikim amerikan në çështjet ekonomike, politike apo kulturore në Iran pas miratimit të saj”, tha Hossein Rassam, ish-këshilltar i Iranit në Ministrinë e Jashtme britanike, të njohur si “Foreign Office”. “Ai i frikësohet faktit se integrimi në ekonominë globale mund ta bëjë Republikën Islamike më të pambrojtur dhe potencialisht të rrezikuar për dështimin apo rrëzimin e saj”.

Nëse marrëveshja implementohet tërësisht, tregjet e Iranit me një popullsi prej afro 80 milionë banorë do të jenë të hapura ndaj investimeve të huaja, pas një izolimi tepër të gjatë.

Top Channel