Turqi, Davutoglu ia kthen mbrapsht mandatin Presidentit Erdogan

18/08/2015 00:00

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, i ka rikthyer zyrtarisht mandatin Presidentit Tayyip Erdogan, prej të cilit e mori pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme për formimin e qeverisë së re, për shkak se dështoi përfundimisht këtë të martë ta krijonte atë, si pasojë e ngecjes së negociatave me partitë e vogla për krijim koalicioni.

Presidenca turke e ka bërë të ditur zyrtarisht këtë hap përmes një deklarate, duke konfirmuar faktin që partia më e madhe e dalë prej zgjedhjeve, AK, e themeluar nga vetë Presidenti Erdogan dhe në pushtet prej shumë vitesh, nuk mundi të gjente një partner koalicioni për krijimin e qeverisë së re.

Lëvizja, e cila pritej gjerësisht që prej dështimit të bisedimeve për koalicion mes AK-së dhe nacionalistëve të MHP-së ditën e hënë, mund të detyrojë tashmë Erdoganin t’ia japë mandatin partisë së dytë më të madhe në Parlament, laikëve të CHP-së, edhe pse dihet normalisht që edhe kjo parti nuk do të mundet të formojë një qeveri të re në Turqi.

Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve, nëse qeveria e re turke nuk do të formohet brenda 23 gushtit, Erdogan do të detyrohet të shpërndajë administratën në detyrë të Davutoglusë dhe do të krijojë një qeveri të përkohshme me pushtet të ndarë mes pozitës dhe opozitës, e cila do ta udhëheqë Turqinë drejt zgjedhjeve të reja në vjeshtë.

Top Channel