Rama: Më 24 gusht, ora 12:00, i gatshëm për pyetje-përgjigje në rrjetet sociale

18/08/2015 00:00

Kryeministri Rama i ka përfunduar zyrtarisht pushimet e verës dhe duket se mezi pret t’i përvishet sërish punëve të qeverisë, por diçka të tillë pret ta nisë fillimisht me një konferencë online me pyetje-përgjigje me ndjekësit e tij në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë kryeministri në llogarinë e tij në Facebook, ku shkruan se e hëna e 24 gushtit, duke nisur nga ora 12 e mesditës, do t’iu dedikohet miqve, siç i cilëson ai, të rrjeteve sociale mbi çdo temë të interesit të tyre.

Sigurisht, njëra nga çështjet që pritet të zërë pjesën më të madhe të punës së qeverisë me t’i dhënë fund sezonit veror do të jetë beteja madhore, që do të nisë këtë shtator kundër informalitetit në ekonomi, të cilën e kishte njoftuar kryeministri që përpara mbylljes së sesionit parlamentar.

Por pyetjet do të jenë të mirëpritura nga çdo sektor dhe çdo aspekt i punës së qeverisë, ku vetë ndjekësit do të kenë dëshirë të ndalen, bën të ditur më tej kryeministri Rama. E sigurisht këtu pritet të mos mungojnë edhe pyetje mbi reformën në drejtësi, pasi edhe asaj i është lënë hapësira e nevojshme duke nisur nga sesioni i ri parlamentar e në vazhdim.

Për të gjithë të interesuarit, në mënyrë që të lehtësohet rruga e komunikimit, pas çdo pyetjeje që mund të kenë për kryeministrin, Edi Rama sugjeron që ata t’i shoqërojnë pyetjet me “hashtag”-un #PyetKryeministrin.

Top Channel