Tensionimi i situatës në Ukrainë, diskutohet të hënën në Berlin

19/08/2015 00:00

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius bëri të ditur se udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës do të zhvillojnë një takim ditën e hënë në Berlin për të gjetur një zgjidhje për valën e re të dhunës në lindje të Ukrainës.

Të martën, Vladimir Putin fajësoi qeverinë e Ukrainës për rinisjen e luftimeve mes forcave të Kievit dhe separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.

Në fillim të kësaj jave mbetën të vrarë dy ushtarë ukrainas dhe disa civilë, ndërsa armëpushimi gjithnjë e më shumë po vihet në dyshim mes shkëmbimeve të zjarrit pranë portit të Mariupol në juglindje të vendit dhe në Horlivka, që kontrollohet nga rebelët.

Më shumë se 6500 persona kanë mbetur të vrarë që prej nisjes së konfliktit, në prillin e vitit të kaluar, pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.

“Operacionet ushtarake duhet të ndalen dhe armët të tërhiqen. Unë shpresoj se takimi i së hënës do të na lejojë për të avancuar në zgjidhjen e kësaj krize”, tha ministri i Jashtëm francez.

Top Channel