Greqi, emigrantët ilegalë të ishullit Mytilini, në kushte çnjerëzore

19/08/2015 00:00

Më shumë se 4000 emigrantë sirianë ndodhen në ishullin grek të Mytilinit, pas një vale zbarkimi masiv për t’i shpëtuar luftës në Siri.

Sipas autoriteteve greke, valë emigrantësh vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë, ndërsa kushtet e tyre të jetesës tashmë konsiderohen si çnjerëzore. Qindra gra dhe fëmijë ndodhen mes tyre, ndërsa autoritetet thonë se nuk mund të bëjnë asgjë më shumë për t’iu ardhur në ndihmë.

Në qendër të ishullit, çdo lulishte dhe plazh publik është kthyer në kamping për emigrantët. Është e pamundur të ushqehen të gjithë dhe as që bëhet fjalë për gjetjen e një vendi ku ata të strehohen. Emigrantët lahen në dushet me ujë të ftohtë të vendosura në plazhet e ishullit, pa kushte normale higjienosanitare.

Spitali rajonal është në limitet e tij për përballimin e rasteve të urgjencës. Nga ana tjetër, në zonë ka mbërritur me shpejtësi një ekip i policisë, për të hetuar nëse midis emigrantëve ndodhen edhe eksponentë të dyshuar si xhihadistë.

Roja bregdetare helene njoftoi se ka shtuar masat për ruajtjen e kufirit detar, që ndan Greqinë me Turqinë prej nga ku hyjnë emigrantët, por është e pamundur ndalja e fluksit të tyre.

Vetë emigrantët u kanë thënë autoriteteve se, për kalimin e tyre në bregun grek, ata u paguajnë trafikantëve 800-3000 euro. Policia greke thotë se mijëra prej të mbërriturve në Greqi, menjëherë i drejtohen kufirit maqedonas, shqiptar ose bullgar, për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt Europës.

Burime prej policisë greke i thanë Top Channel se, shumë prej emigrantëve fshihen në karroceritë e kamionëve dhe bagazhet e autobusëve, për të kaluar në vendet fqinje, shpesh herë të ndihmuar prej trafikantëve ballkanas të klandestinëve. Ata kanë gjetur hapësirë në mungesën e kontrolleve në pikat hyrëse të vendeve të Ballkanit, pasi policia e këtyre vendeve është fokusuar në kontrolle të rrepta vetëm në daljet e tyre e jo në hyrje, duke ia lënë këtë punë vetëm punonjësve të doganave, të cilët nuk kanë asnjë lloj eksperience në të tilla kontrolle.

Gjatë muajve në vazhdim pritet rritje masive e numrit të azilkërkuesve sirianë edhe në vendin tonë, pikërisht për shkak të shtimit të numrit të atyre, që kërkojnë të përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt Europës Perëndimore.

Top Channel