Njihuni me njerëzit që nuk kanë përjetuar kurrë ndjenja

19/08/2015 00:00

Kaleb e nis rrëfimin e tij në lidhje me lindjen e të birit, tashmë 8-muajsh. “Ju e dini dhe keni dëgjuar shpesh prindërit të thonë se, sapo shohin të sapolindurin u shëmbëllehet vetvetja në fytyrën e foshnjës, si dhe trupi u përfshihet nga një ndjenjë gëzimi dhe dashurie”, thotë ai, duke u ndalur disi… “Unë nuk e kam përjetuar një ndjenjë të tillë”.

Edhe dasma e tij ishte thuajse një ditë e njëtrajtshme, pa luhatje ndjenjash. Për ta ilustruar këtë, ai e krahason ditën e dasmës me një film të “Broadway”-t. Në pjesën e përparme të skenës, audienca është totalisht e përfshirë nga një dramë, ndërkohë që po të shohësh nga fundi i skenës, do të mund të gjesh inxhinierët teknikë të fokusuar në analizimin e teknikaliteteve të shfaqjes.

Pavarësisht se ishte në qendër të vëmendjes në ceremoninë e martesës, ai u ndje i shkëputur në mënyrë të ngjashme nga rryma e emocioneve që kishte kapluar të ftuarit përreth tij. “Për mua, ajo ishte thjesht një produksion mekanik”, thotë Kalebi, i cili ka preferuar të mos i përdoret emri i plotë.

Edhe pse bashkëshortja e tij kreu ecjen tradicionale drejt altarit, e vetmja ndjenjë që preku trupin e tij ishte një fytyrë tepër e lodhur dhe një rëndesë e jashtëzakonshme në këmbët e tij. Mendja e tij ishte tërësisht e paprekur nga gëzimi, lumturia apo dashuria, në kuptimin tradicional të këtyre fjalëve.

Në fakt, Kalebi pretendon se nuk ka përjetuar kurrë ndjenja, qoftë pozitive ashtu dhe negative.

Gazetari i BBC-së e ka takuar atë përmes një forumi online të njerëzve me “alexithymia”, një lloj “verbërie” emocionale që nuk u lejon njerëzve të prekur të përjetojnë apo shprehin format e ndryshme të ndjenjave, që stolisin normalisht jetën tonë. Ky problem gjendet thuajse në rreth 50% të personave që vuajnë nga autizmi, por shumë “alexes” (siç e quajnë veten të prekurit) si puna e Kalebit, nuk tregojnë asnjë shenjë tjetër autizmi, si për shembull sjellje të pandreqshme detyruese e të përsëritura.

E nëse i shkohet deri në fund studimit të kësaj “verbërie” emocionale, mund të hedhim dritë ndaj shumë prej sëmundjeve serioze, nga anoreksia dhe skizofrenia, deri në sëmundjet kronike dhe sindromi i zorrëve të irrituara. Histori të tjera personale nga komuniteti i njerëzve “alex” mund t’i shtyjnë njerëzit të riekzaminojnë përjetimet e së kaluarës, të cilat ata pretendojnë se i njohin shumë mirë.

Por, si mund të biesh në dashuri, për shembull, kur të mungojnë të gjitha ndjenjat bazike të afeksionit që shkakton normalisht një romancë?

Top Channel