Rezervuari i Manskurisë, në pikë kritike

19/08/2015 00:00

Në rezervuarin e Manskurisë, që furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të bregdetit të Durrësit dhe Kavajës, rezervat ujore ndodhen në nivel kritik.

Situata e krijuar është jo vetëm pasojë e mungesës së reshjeve, por edhe e mbajtjes nën kontroll të nivelit, për shkak të gropës së konstatuar në digën e rezervuarit në muajin shkurt të këtij viti.

Gropa që rrezikoi në dimër përmbytjen e të gjithë bregdetit i detyron specialistët e Ujësjellësit të Kavajës ta mbajnë nën kontroll nivelin e ujit për të mos ushtruar presion mbi digë. Aktualisht, uji kalon nga baseni në impiantin e filtrimit e klorifikimit përmes tubave ajrorë, pasi tubacionet e mëparshëm nuk janë të shfrytëzueshëm. 

Shfrytëzimi i këtij rezervuari për ujë të pijshëm nisi 7 vite më parë, falë një investimi gjermano-shqiptar prej 4 milionë eurosh. Në të dy rastet e përurimit, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha pati deklaruar se me këtë investim, Manskuria zgjidhte problemin e furnizimit të bregdetit me ujë të pijshëm, duke nisur nga Shkëmbi i Kavajës, Golemi dhe fshatrat përreth. Në të vërtetë, problemi nuk u zgjidh, ndërsa vetëm pak vite më vonë rezervuari ndodhet në gjendje kritike, duke vënë në dyshim edhe cilësinë e këtij investimi.

Këtë vjeshtë, drejtues të Ujësjellësit të Kavajës deklarojnë se do të nisë një investim i ri për rehabilitimin e digës së këtij ujëmbledhësi.

Top Channel