Gjermani, Bundestagu ratifikon dorëzaninë e tretë ndaj Greqisë

19/08/2015 00:00

Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman, Bundestag, ka votuar me 454 vota pro, 113 kundër dhe 18 abstenim, në favor të dorëzanisë së tretë për Greqinë, edhe pse Angela Merkel nuk e kaloi pa vështirësi këtë sprovë.

Tema në fjalë e vendosi Kancelaren gjermane përballë një rebelimi brenda radhëve të vetë partisë së saj. Dhe, ndonëse një shumicë e qartë është prononcuar në favor të paketës 86 miliardë euroshe për shtetin helen, nuk kanë qenë të paktë ligjvënësit konservatorë që kanë votuar kundër.

Mbështetje për dorëzaninë kanë dhënë edhe parti të tjera në sallën e Parlamentit, përfshirë edhe partnerin më të vogël të koalicionit qeverisës, Partinë Social-Demokrate, si dhe “të Gjelbrit” në opozitë.

Një votim testues gjatë së martës brenda radhëve të kristiandemokratëve të Merkelit, CDU dhe partisë simotër bavareze të CSU-së, tregoi se 56 nga 311 deputetë konservatorë u shprehën kundër ndihmës për Greqinë, ndërsa 4 ligjvënës abstenuan.

Një shifër e pamjaftueshme për të rrëzuar nismën e Merkelit, por jo aq sa të mos konsiderohet një paralajmërim. Në argumentet e paraqitura, në mbështetje të apelit të tyre për një votë “Po”, Kancelarja dhe ministri i saj i Financave, Wolfgang Schäuble, thanë se pavarësisht dallimeve brenda BE-së, që të dy ndajnë bindjen se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të marrë pjesë në dorëzaninë e tretë për Athinën.

Përfshirjen e FMN-së, një pjesë e mirë e konservatorëve gjermanë e shohin si të domosdoshme për të garantuar se, reformat e premtuara prej grekëve do të vihen në jetë vërtet. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ligjvënësit në Spanjë, Estoni dhe Austri votuan një ditë më parë.

Top Channel