Manchester United kërkon Thomas Muller. Ofertë zyrtare prej 85 milionë eurosh

19/08/2015 00:00

Manchester United e ka seriozisht me Thomas Muller. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja gjermane ‘Bild’, klubi anglez i ka bërë një ofertë zyrtare Bayern Munchen për blerjen e futbollistit për një shifër prej 85 milionë eurosh. “Djajtë e Kuq” janë vënë prej kohësh në ndjekje të Muller, por deri tani kanë hasur në rezistencën e drejtuesve të klubit bavarez, të cilët kanë deklaruar herë pas here se futbollisti është i pashitshëm.

Megjithatë, ka një aspekt nga i cili Manchester United mund të përfitojë: raporti jo i mirë që futbollisti ka me trajnerin Pep Guardiola, ndërkohë që me Van Gaal ishte e kundërta për të. Gjatë kësaj vere, Muller dhe Guardiola u bënë protagonistë të një debati të ashpër, pasi futbollisti nuk po stërvitej sipas mënyrës së kërkuar nga trajneri spanjoll. Në krahun tjetër, lojtari ka kujtime të mira me holandezin Van Gaal, pasi ishte pikërisht ky i fundit që i dha atij mundësinë të debutonte në skuadrën e parë të Bayern.
 
Nëse Manchester United siguron shërbimin e Muller, do të heqë dorë nga blerja e Pedro Rodriguez dhe nga kjo mund të përfitojë Chelsea, që sipas medias britanike së fundmi ka shfaqur interes për blerjen e sulmuesit spanjoll të Barcelonës.

Top Channel