Sebastian Coe, presidenti i ri i IAAF-së

19/08/2015 00:00

Sebastian Coe është presidenti i ri i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF). Në zgjedhjet e zhvilluara këtë mesjave, britaniku mori 115 vota duke mposhtur në këtë garë ukrainasin Sergej Bubka, për të cilin shkuan në favor 92 vota. Sebastian Coe, ish-kampion olimpik, do të zëvendësojë në krye të IAAF-së senegalezin Lamin Diak, me këtë të fundit që e drejtoi institucionin më të lartë të atletikës në botë për 16 vjet.

“Jam i kënaqur për besimin që u tregua ndaj meje nga familja e atletikës botërore”, ishte komenti i Sebastian Coe në rrjetin social Twitter, menjëherë pas publikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Ndërsa kandidati tjetër Sergei Bubka pranoi disfatën dhe theksoi se është i sigurt se atletika në të ardhmen do të përmirësohet akoma më shumë.

Sebastian Coe është cilësuar si një legjendë e atletikës britanike. Gjatë karrierës së tij si sportist ai fitoi medaljen e artë në 1500 metra dhe medaljen e argjendtë në 800 metra në Lojërat Olimpike të viteve 1980 dhe 1984. Ai gjithashtu ka fituar 1 medalje të artë, 2 argjendi dhe 1 bronzi në 3 kampionate evropiane. Sebastian Coe ka thyer edhe disa rekorde. Në vitin 1979, në harkun e 41 ditëve, ai vendosi 3 të tillë për t’u bërë i pari atlet që shënon kohët më të mira në 800, 1 000 dhe 1500 m në të njëjtën kohë.

Top Channel