Çfarë thonë pushimet tuaja për ju?

19/08/2015 00:00

Pushimet thonë shumë për njerëzit, shkruan për “New York Times”, Arthur C. Brooks. Vendi që zgjedhin njerëzit për pushimet, tregojnë se sa shumë dëshirojnë ata të jenë me të tjerët.

Një studim i psikologëve të Universitetit të Virginias, të realizuar me studentë kolegji për preferencat e tyre gjeografike, tregon se ata që janë persona të tërhequr dhe fjalëpak zgjedhin malet, ndërsa personat e hapur plazhin.

Studiuesit gjetën më shumë të dhëna kur panë edhe vendet se ku ata jetojnë. Rezidentët e vendeve malore janë më të tërhequr, se sa ata që jetojnë në vende të ulëta.

Kjo gjetje është kuptimplotë, pasi malet identifikohen me izolimin dhe ndarjen, ndërsa plazhet, janë më të populluara.

Duke nisur analizën e tij Brooks thotë se planifikimi i pushimeve ka tendencën të na japë kënaqësi. Studimet thonë se njerëzit e gjejnë lumturinë më të madhe në fazën e planifikimit të pushimeve. Por nga ana tjetër, kjo kënaqësi e planifikimit të pushimeve, rrezikon të mos kënaqen gjatë tyre. Gjithmonë duke iu referuar studimeve, Brooks thotë se një pjesë e njerëzve thonë se nuk janë kënaqur shumë gjatë tyre, duke i cilësuar dhe stresuese.

Vetëm njerëzit me pushime të thjeshta dhe relaksuese duket se janë më të shlodhur. Kështu që krijohet paradoksi i pushimeve: ju duhet të zgjidhni mes lumturisë para tyre apo pas tyre.

Pushimet tregojnë edhe diçka për vendin e origjinës së pushuesve. Për shembull, në Amerikë biseda normale me një të panjohur nis me pyetjen “Si e nxirrni jetesën?”. Ndërsa në Europë është ndryshe, pyetja e parë është “Ku do të shkoni me pushime këtë vit?”.

“Unë nuk jam dakord me idenë e planifikimit të një itinerari të komplikuar, ndërsa dikush tjetër mund të kënaqet duke planifikuar një udhëtim të thjesthë. Disa ditë pushimi në çdo stinë të vitit janë më mirë se një planifikim i pushimeve të gjata”, thotë Brooks.

Të dhënat për pushimet përforcojnë aforizmin se amerikanët jetojnë për të punuar, ndërsa europianët punojnë për të jetuar. Në sektorin privat në Amerikë ofrohen 16 ditë pushime të paguara në vit, krahasuar me Italinë që e ka 31 ditë, Spanja me 34 ditë dhe Portugalia me 35 ditë.

Top Channel