Putin tregon se kush është “bosi” në Krime. Kievi e dënon vizitën treditore

19/08/2015 00:00

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dhuruar shfaqjen e radhës tipike të tijën, teksa është futur në një nëndetëse të vogël dhe ka lundruar në thellësitë e Detit të Zi. Dallgët e detit, fillimisht “lanë” xhamin e tij të qelqtë e më pas e “gllabëruan” atë, ndërkohë që kamerat nënujore kapnin pamjet e ngadalshme të zhytjes së mininëndetëses.

Zyrtarisht, zhytja me nëndetësen në fjalë është konsideruar si me mision për të vëzhguar mbetjet e një anije të Antikitetit në fund të detit. Por, jozyrtarisht është konsideruar edhe si demonstrimi i radhës se kush është tashmë “bosi” i Krimesë dhe ujërave përreth ish-gadishullit ukrainas.

Vladimir Putin po kalon 3 ditë në Krime me një delegacion të madh politikanësh dhe biznesmenësh rusë në tokën e diskutueshme, të aneksuar vitin e kaluar nga Ukraina, por një veprim që nuk njihet ndërkombëtarisht.

Kievi e ka dënuar vizitën e tij si një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet, si dhe ka theksuar se e ardhmja e vetme e mundshme e Krimesë është të rikthehet sërish në Ukrainë.

E megjithatë, kur nëndetësja e Putinit u ankorua në Sevastopol, gazetari i BBC-së ia bëri të ditur këtë “ankesë” të Kievit zyrtar.

“E ardhmja e Krimesë është përcaktuar nga vetë populli që jeton në këtë tokë”, është kundërpërgjigjur Presidenti rus në molin e Sevastopolit, me një fytyrë të hekurt dhe mëse qartazi. “Ata votuan të jenë të bashkuar me Rusinë, kaq dhe pikë”.

Rezultatet e referendumit nxitimthi për t’iu bashkuar Rusisë tregojnë në fakt një mbështetje dërrmuese në Krime pro aneksimit nga Moska. Por, në mars të vitit 2014, referendumi – që Kremlini e lavdëron si zgjedhje e vetë popullit, – u mbajt nën trysninë e personave të armatosur nëpër rrugë dhe në shkelje të pastër të Kushtetutës së Ukrainës.

Si rezultat, SHBA-të dhe Europa vendosën sanksione ekonomike ndaj Rusisë, ndërkohë që aneksimi i Krimesë nuk është njohur zyrtarisht nga askush veç Moskës.

E megjithatë, nuk ka aspak dyshim se shumica e popullsisë në Krime është simpatizante e madhe ndaj Rusisë, ndërkohë që për rusët, rikthimi i rajonit të Ukrainës pas humbjes së tij gjatë periudhës sovjetike, ka qenë një kauzë tepër popullore.

Top Channel