Informaliteti, Ahmetaj apel biznesit: Vendosni kasën, në shtator s’do të ketë tolerime

19/08/2015 00:00

Pak ditë para nisjes së një aksioni të ngjashëm me atë kundër debitorëve të energjisë elektrike, këtë herë me fokus luftën kundër informalitetit në ekonomi, ministri Arben Ahmetaj u bëri apel bizneseve që nuk paguajnë taksa të regjistohen sa më shpejt dhe të pajisen me kasa fiskale.

Sipas Ahmetajt, 1/3 e bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar nuk janë të regjistruar ose nuk përdorin kasë fiskale, ndërsa mbi 50% nuk japin thuajse asnjë kupon tatimor, duke bërë që këtë kosto, siç shprehet ai, ta paguajë qytetari.

“Jam këtu për t’u bërë apel bizneseve që operojnë në shkelje të ligjit, të vrapojnë për t’u regjistruar para se të nisë operacioni rrënjësor i kësaj sëmundjeje të patolerueshme. Të vendosin kasën fiskale para se operacioni t’i vendosë para ligjit. Të mos i japin qytetarëve fatura që nuk kanë asnjë vlerë fiskale dhe ligjore”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Në fokus të operacionit Ahmetaj thotë se do të jetë çdo hallkë e biznesit, nga kompanitë e mëdha tek biznesi i vogël: “Nafta, cigarja dhe tregtia me shumicë janë në fokus të veprimit tonë frontal, por zinxhiri i informalitetit ka të mëdhenj e të vegjël. Nuk do të lëmë asnjë pa kontrolluar”.

Aksioni i paralajmëruar dhe nga vetë kryeministri Edi Rama do të nisë në muajin shtator. Ahmetaj tha se qeveria ka angazhuar në terren një skuadër të ndihmuar dhe nga 500 studentë dhe të rinj.

Top Channel