Britani, Londra rrezikon të kthehet me geto si të Parisit

19/08/2015 00:00

Duke qenë se londinezët paguajnë rreth gjysmën e pagës së tyre për qiranë, politikanët britanikë kanë bërë thirrje për masa urgjente në mënyrë që të shmanget “getizimi” i kryeqytetit britanik.

Në 18 nga 33 lagjet periferike të Londrës, qiraja mesatare për një apartament me një dhomë gjumi ka shkuar në mbi 1000 paund në muaj, statistikë kjo e nxjerrë nga agjencia qeveritare që vlerëson pronat për qëllime tatimi nga këshillat e qarqeve në Angli dhe në Uells.

Në zonën e konsideruar “Greater London”, qiraja për një apartament të tillë është rritur me afërsisht 22 për qind përgjatë 5 viteve të fundit, bën të ditur përmes të dhënave zyrtare zyra e Agjencisë së Vlerësimit. Këto shifra kanë detyruar David Lammy, një prej kandidatëve më të shquar të laburistëve për kryebashkiak të Londrës dhe deputet i zonës së Tottenhamit, të paralajmërojë se kryeqyteti britanik rrezikon trazira civile të ngjashme me ato të periferive geto nëpër Paris, për sa kohë që nuk vendoset kontroll mbi qiratë.

“Jam i shqetësuar për Londrën – thotë Lammy. – Nëse nuk bëjmë gjë në lidhje me këtë çështje, do të kthehemi si getot pariziene, ku njerëzit përballen me strehim tepër të pistë përtej qendrës së qytetit, do të kemi trazira dhe vështirësi kronike e endemike”.

Agjencia në fjalë tregon gjithashtu se qiratë në Greenëich, në juglindje të Londrës, janë rritur me 30% gjatë 5 viteve të fundit – nga mesatarisht 750 paund në muaj në plot 975 paund në muaj. – Në Islington, në veri të Londrës, qiraja për një apartament me një dhomë fjetjeje është rritur me 20 për qind gjatë së njëjtës periudhë, konkretisht nga 1213 paund në 1452 paund.

Në të gjitha periferitë e Londrës, përjashtuar 4 prej tyre, qiraja mesatare për një apartament me dy dhoma fjetjeje është mbi 1100 paund në muaj.

Top Channel