Vlorë, Leli takon përfaqësuesit e firmës që do të ndërtojë Lungomaren

19/08/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, mblodhi drejtuesit e institucioneve për përmbytjet e shkaktuara tre ditë me parë si dhe ka dëgjuar përfaqësuesit e firmës e cila do të punojë për ndërtimin e Lungomares.

Me drejtues institucionesh lokale, Leli foli për masat që duhen marrë ndërsa tha se trashëgoi një qytet me shumë probleme, veçanërisht në sistemin e kullimit dhe kanalizimeve që sipas kreut të bashkisë janë tërësisht të demtuara, e si pasojë qyteti përmbytet me pak shi.

Akuzat e Lelit ishin të ashpra, duke deklaruar se grumbuj betoni janë kthyer në pallate gjithandej. Ai demostroi edhe projektin e një pallati i cili është ndërtuar mbi një gropë ujëmbledhëse, pjesë e sistemit të kullimit, i cili është ndërtuar që në kohën e Italisë.

Ai kërkoi angazhim nga çdo institucion duke shprehur gadishmërinë e institucionit që drejton dhe që qyteti i Vlorës të mos ketë më përmbytje të tilla.

Më pas, kreu i bashkisë takoi dhe nënkontraktorët e firmës greke që po zbaton projektin e Lungomares, me të cilët rakordoi rifillimin e punimeve në datë 15 shtator, për të mos penguar vijushmerinë e sezonit. 

Ndërsa përfaqësuesit e firmës, duke pasqyruar projektin dhe duke i sqaruar kryetarit Leli çdo detaj, thanë se përfundimi i projektit është data 23 Gusht 2016 sipas kontratës, për të cilën u angazhuan ta zbatojnë me përpikmëri.

Top Channel