ISIS masakron arkeologun e famshëm të Palmirës. Mesazh popullit turk të ngrihet kundër Erdoganit

19/08/2015 00:00

I prenë kokën, në qytetin të cilit i kishte kushtuar jetën; trupin e tij e varën në njërën prej kolonave antike, që kishte ruajtur e mbrojtur me fanatizëm.

Pakkush mund ta kishte imagjinuar fatin e kobshëm, që militantët e Shtetit Islamik i rezervuan ish-kreut të zonës arkeologjike të Palmires në Siri.

Khaled Asaad ishte kujdesur prej 50 vitesh për rrënojat e famshme dhe, me mbërritjen e ekstremistëve islamikë, ishte kujdesur të fshihte me qindra statuja, me shpresën se do t’i shpëtonte nga shkatërrimi.

Arkeologu i njohur në mbarë vendin u kap e u mbajt prej militantëve të dhunshëm për më shumë se një muaj, kohë gjatë së cilës tentuan me çdo kusht ta bënin të tregonte ku i kishte mbyllur antikuaret.

82-vjeçari nuk tregoi kurrë, e mbase kjo i kushtoi dhe jetën. Sipas pohimeve të drejtorit të Muzeve siriane, Maamoun Abdulkarim, të mbështetura në informacionet e ofruara nga vetë familja e Khaled Asaadit, trupi i tij i pajetë qëndron i varur në një kolonë në sheshin qendror të Palmirës, aty ku ta shohin të gjithë.

“Mendoni pak se me çfarë kemi të bëjmë, – u shpreh Abdulkarim. – Mendoni sesi mund t’i pritet koka një dijetari, që i ka bërë kaq shërbime këtij vendi dhe historisë. Prania e atyre kriminelëve në qytet është një mallkim dhe një ogur i zi për Palmirën, për çdo kolonë të saj e për çdo objekt arkeokologjik që gjendet në atë vend”.

Me këtë veprim dhe videon e një dite më parë, ku i bënte thirrje popullit turk për rebelim kundër regjimit të Recep Tayyip Erdogan, Shteti Islamik tregon një riaktivizim të fushatës së egër të tij, por edhe strategjive që përdor për të mbjellë terror.

Presidentin turk e quajti një të pabesë e tradhëtar dhe, sipas informacioneve nga faqja e shërbimit monitorues SITE, i ka drejtuar popullit turk një apel që të ndihmojë në marrjen e Stambollit.

Videoja me titull “Një mesazh për Turqinë” u publikua nga e ashtuquajtura zyrë e mediave shtetërore në Raqqa. Duke folur në turqisht, një militant i Shtetit Islamik akuzoi kreun e shtetit turk se ia ka shitur vendin të krishterëve dhe ka lejuar që bazat turke të përdoren prej këtyre të fundit dhe Shteteve të Bashkuara thjesht për të ruajtur pozitën e tij.

Top Channel