Fjala e plotë e ministrit Arben Ahmetaj

19/08/2015 00:00

Besoj biem të gjithë në një mendje se nuk mund të shkojmë larg duke ia hedhur njëri – tjetrit, siç mësuam me vite të bëjmë me energjinë elektrike; tokën e zanun; me diplomat pa vlerë e me radhë. Dhe për ta thënë shqip, po edhe në sensin ekonomik, nuk mund të shkojmë larg duke vjedhur njëri – tjetrin.

Përpjekjet e bëra së bashku për të vënë në jetë reformat e vështira, por të domosdoshme, po tregojnë përditë se qytetarët e bizneset duan shtet dhe se së bashku mund të vendosim rendin ligjor edhe aty ku duket e pamundur.

Ka ardhur koha që, përsëri së bashku, t’i hyjmë një tjetër përpjekjeje për të realizuar një tjetër ndryshim historik në rrugën e mundimshme të ripërtëritjes së ekonomisë kombëtare e familjare në Shqipëri.

Mbase kjo e radhës është vërtet më e vështira, por padyshim edhe më e pashmangshmja përpjekje, nëse duam të arrimë aty ku të gjithë synojmë; të ndërtojmë një shtet ku secili paguan atë që i takon dhe ku cilido që synon t’ia hedhë tjetrit, të ndëshkohet me ligj e nga ligji.

Kjo përpjekje është në fakt një betejë e madhe, frontale, kundër informalitetit në ekonomi. Ose e thënë shqip, kundër vjedhjes së njëri – tjetrit, koston e të cilës e paguan si gjithnjë shumica që i respekton rregullat dhe nuk u shmanget taksave.

Por koston e vjedhjes së njëri – tjetrit, e paguajnë pa përjashtim të gjithë qytetarët, të gjithë konsumatorët shqiptarë, të cilëve nuk u jepet faturë kur blejnë një mall.

E paguajnë këtë kosto edhe të gjithë punonjësit në shtet, të cilët duan natyrshëm rritje pagash dhe pagat nuk iu rriten sepse paratë që  takojnë shtetit për të rritur rrogat, i gllabëron kushdo që nuk u jep faturën për mallin që blejnë konsumatorët dhe qytetarët.

E paguajnë këtë kosto edhe të gjithë punonjësit në privat, të cilët po ashtu duan rritje rrogash.

Por që të rrisin rrogat e tyre, kompanitë kanë nevojë për konkurrencë të ndershme, ku të gjithë të paguajnë dhe taksat të ulen për të gjithë.

E paguajnë koston e vjedhjes së njëri – tjetrit të gjithë fëmijët që duan më shumë çerdhe e shkolla të mira; të moshuarit që duan rritje më të madhe të pensioneve dhe shërbim më dinjitoz; komunitetet që duan më shumë ujësjellësa, kanalizime, kanale vaditës, kullues, rrugë më të mira, spitale, më shumë e më të mirë.

Pra kjo sëmundje e vjetër e ekonomisë shqiptare, informaliteti siç e quajmë apo, vjedhja e njëri – tjetrit siç dua ta quaj troç, i kushton shumë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Ne kemi vendosur t’i kundërvihemi me të gjithë forcën e arsyes dhe të ligjit, kësaj sëmundjeje që gllabëron paratë e konsumatorëve dhe pengon drejtpërdrejt zhvillimin me ritme më të shpejta të ekonomisë sonë kombëtare po edhe të ekonomisë së çdo familjeje shqiptare.

Nga momenti kur qeveria jonë e ka shpallur objektivin për ta çelur duke nisur nga muaji shtator, këtë front të ri të përpjekjes sonë të përbashkët reformatore, qeveria ka angazhuar në terren ekipet e saj ku është ndihmuar edhe nga 500 të rinj, studentë të ekonomisë e të financave për të sonduar terrenin e betejës.

Të dhënat e sondimit tonë janë sa alarmante, aq edhe domethënëse për të gjithë:

Rreth 1/3 e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e vendit tonë ose nuk janë fare të regjistruar, ose nuk kanë fare kasa fiskale, ose kasat fiskale ekzistojnë si orendi pa vlerë që nuk përdoren; në shkelje të rëndë të drejtpërdrejtë të ligjit po se po, po edhe në vjedhje të hapur të qytetarit dhe konsumatorit.

Ndërsa në total, mbi 50% e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon, duke qenë haptazi në kundravajtje të plotë ligjore dhe padiskutim, në shkelje të plotë të çdo norme etike në raport me konsumatorët.

Por jo vetëm kaq. Duke mos dhënë kuponin tatimor, duke mos regjistruar shitjet e kryera, këto biznese as më shumë as me pak nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se vjedhin tatimin mbi vlerën e shtuar që konsumatori e paguan për shtetin në çmimin e mallit apo shërbimit që blen. Më këtë sëmundje kaq të egër në trup, ekonomia shqiptare nuk mund të arrijë aty ku ne, së bashku, kemi ambicien po edhe mundësinë ta çojmë.

Prandaj, unë jam sot këtu për t’u bërë apel, në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar në shkelje flagrante të ligjit, të vrapojnë për t’u regjistruar përpara se të nisë operacioni rrënjësor i kësaj sëmundjeje të patolerueshme;

Të vendosin kasën fiskale dhe ta vënë atë në shërbim të plotë të konsumatorit, përpara sesa operacioni që nis në shtator t’i vendosë ata përpara ligjit;

Të mos u japin më blerësve të mallit të tyre fatura që s’kanë asnjë lloj vlere fiskale e ligjore, përpara se sa në përballjen me ligjin të humbasin shumë më tepër se sa     ç ‘mund të fitojnë duke e shkelur ligjin.

Ne sigurisht duam mirëkuptim dhe bashkëpunim, nuk duam të ushtrojmë forcën e ligjit përpara se të përdorim forcën e arsyes.

Kjo sëmundje nuk është e re, ka vite e vite që e gërryen organizmin e ekonomisë sonë kombëtare e familjare. Kështu që ne e kemi parë të udhës t’u japim kohë të gjithëve të hyjnë në binarët e ligjit dhe të gjithë së bashku të ecim në drejtimin e duhur.

Koha po skadon dhe këtë apel ne do ta përsërisim më shpesh deri në fillimin e operacionit, që njësoj si operacioni i energjisë, nuk do të ndalet përpara askujt dhe për asnjë arsye.

Dua gjithashtu të bëj të qartë për ata që e kanë keqkuptuar apo qëllimisht e trajtojnë në publik këtë operacion, si një aksion kundër të vegjëlve, se operacioni  kundër informalitetit në ekonomi, ka nisur nga më të mëdhenjtë me një analizë shumë të detajuar të situatës së përgjithshme dhe situatës së çdo aktori ekonomik.

Nafta, cigarja, mallrat e vlerës dhe tregtia me shumicë, do të jenë në fokusin e veprimit tonë frontal. Por padyshim që zinxhiri i informalitetit ka një fillim, ka edhe një fund, ka ideatorë dhe manipulatorë të mëdhenj grosistë, sikurse ka dhe aktorë të mesëm apo të vegjël, dhe ne nuk do të lemë pa kontrolluar asnjë hallkë të zinxhirit, nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjlit.

Në këtë operacion, njësoj si edhe në operacionin e energjisë, ne ndjehemi pjesë e një aleance strategjike me qytetarët dhe konsumatorët dhe me të gjitha bizneset e mëdha e të vogla që paguajnë rregullisht taksa.

Ne do të kërkojmë mbështetjen e bashkëpunimin e tyre dhe do të synojmë që suksesin e kësaj beteje ta ndajmë me ta, duke ulur taksat dhe duke bërë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve.

Edhe diçka në fund:

Kujt pyet pse nuk e bëmë që në fillim këtë operacion, u përgjigjem shumë thjeshtë: Sepse ata që nuk e bënë për vite e vite dhe e lanë shtetin përtokë, në pragun e një humnere borxhesh dhe kolapsi energjitik, na e bënë të pamundur të merremi më parë me këtë beteje madhore.

Por edhe sepse, kjo betejë është më e vështira padyshim, dhe për ta nisur kishte nevojë për farën e një kulture të re të respektit për shtetin ligjor, të cilën ne e mbollëm në 20 muajt e parë të mandatit tonë të parë.

Tani është koha e apeleve finale dhe e marrjes së masave nga kushdo që nuk dëshiron të ketë probleme me ligjin e me shtetin.

Top Channel